Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zhvillimet në veri, përfundon raportimi i drejtorit të AKI-së para deputetëve

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Kryetarja e Komisionit Ganimete Musliu tha se gjatë takimit me Drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, diskutuan dhe u informuan për gjendjen reale në veri.

“Gjendja e sigurisë mund të konstatojmë se është e qetë por me mundësi edhe të përshkallëzimit. Institucionet e sigurisë janë të gatshme për çdo veprim i cili kërkohet në bazë te rrethanave” – tha ajo.

Musliu tha se sot kërkohet bashkëpunim i veprimeve në siguri të vendit; polici, AKI, komisione parlamentare e Këshillin e Sigurisë.

Gjithashtu tha se kërkohet edhe bashkëpunim më i theksuar i qytetarëve me institucionet e sigurisë, me theks të veçantë në veri.

“Një apel për mediat që t’i shmangeni dezinformatave që dalin nga mediat armiqësore ose propagandat e formimit serb. Na rastis shpesh të bimë pre e lajmeve të rrejshme” – tha ajo.

Musliu tha se si komision janë unanim në qëndrime dhe tha se i ofruan mbështetje të plotë drejtorit të AKI-së.

“Shqetësimet i kemi të njëjta. Ajo çka vlen të theksohet është se gjendja e sigurisë në veri dhe në gjithë Kosovën është e qetë. Ne duhet të jemi vigjilent. Policia e Kosovës është në krye të detyrës” – shtoi Musliu.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Drejtori i AKI-së raporton në Komision, takimi i mbyllur për media