Zhvillimet në veri, Osmani takon Kurtin, Konjufcën e Gërvallën

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka mbajtur sot me kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla.

Sipas njoftimit të Presidencës, ky takim ka qenë i  rregullt koordinues lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Tutje, sipas njoftimit, gjatë takimit u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit përmes zbatimit të rendit dhe ligjit në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë.

Osmani sot ka pritur në takime të ndara e edhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, si dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tema e këtyre takimeve ka qenë situata në veri të vendit.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dje, më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime.

Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, BE dhe SHBA-të kanë kërkuar nga autoritet e Kosovës shtyrjen e vendimit për targat dhe krijimin e asociacionit të Komunave me Shumicë serbe pas situatës së krijuar dy ditët e fundit në veri, ku serbët vendosën të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sot, deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar zyrtarisht mandatet.