Situata në Bërnjak, 06.09.2024, Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com
Zhvillimet në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë
Rreth 30 persona në Jarinjë e Bërnjak, diku rreth 50 persona në Kullë e Merdarë, dolën dhe iu bashkuan kërkesës për të protestuar dhe bllokuar rrugët matanë kufijve që ndajnë Kosovën me Serbinë, më 06.09.2024.
Tri pikat kufitare tashmë rezultojnë të bllokuara, dy prej tyre – në Bërnjak e Merdarë, janë mbyllur për qarkullim nga institucionet e Kosovës.
Dy ekipe të KALLXO.com e përcollën situatën në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, para se të niste protesta e paralajmëruar.
Kjo protestë u thirrë para disa ditësh përmes rrjetit social “Telegram”. Aty u bë thirrje për pjesëmarrje në këto protesta për të bllokuar pikat kufitare nga Serbia me Kosovën.
Kërkesë e tyre është që institucionet që janë mbyllur në Kosovë, ku kanë funksionuar struktura paralele serbe t’u rikthehen qytetarëve serbë.
Në thirrjen në “Telegram” kërkohej nga ata që i bashkangjiten protestës të marrin tenda me vete, ushqim e rroba.
Ndërrimi thuhej se do të bëhet çdo 12 orë i atyre që do të mbajnë të bllokuar pikën, dhe përveç veturave të emergjencave nuk do të lejohet qarkullim i veturave të tjera që nuk janë me tabela të Beogradit.
Në pikën kufitare në Bërnjak, KALLXO.com raportoi 20 minuta para se të nisë protesta e paralajmëruar nga qytetarët serbë se kjo pikë kufitare momentalisht është e hapur. Automjetet po qarkullojnë në këtë vendkalim.
Situata në Bërnjak vazhdoi e qetë edhe rreth orës 19:00.
Rreth orës 20:48, KALLXO.com raportoi se një minibus është vendosur në rrugë në drejtim të pikës kufitare në Bërnjak, në anën e Serbisë, duke e bllokuar lëvizjen e automjeteve.
Në minibus, siç u pa përmes një fotografie ishte ngjitur një mbishkrim: “Bllokimi i linjave administrative do të zgjasë deri në përmbushjen e këtyre kushteve”.
Në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak, KALLXO.com mëson se protestuesit janë të maskuar dhe afër makinave të Policisë së Serbisë.
Edhe në këtë mënyrë, ata po ndalojnë veturat e nuk po i lejojnë të qarkullojnë në këtë pikë kufitare të Serbisë me Kosovën.
KALLXO.com ka siguruar një fotografi që pretendohet se po ndodhë kjo situatë në anën e Serbisë, në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak.
Ndërsa, në pikën kufitare në Jarinjë, 30 minuta para se të nisë protesta e cila është paralajmëruar të mbahet matanë kufirit të Jarinjës në pjesën e Serbisë, KALLXO.com raportoi se qarkullimi i veturave po vazhdon njëjtë, ndërsa ekipet e Policisë së Kosovës janë duke vazhduar detyrat e tyre të përditshme.
Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com bllokimi pretendohej të ndodhë në pikën e vjetër kufitare rreth 500 metra larg pikës kufitare- Jarinjë.
Ndërkohë, veturat që kaluan nga Serbia në Kosovë ishin të pakta, ndërsa nga Kosova vazhdoi qarkullimi normal i veturave të cilat kalonin përmes pikës kufitare në Jarinjë nga ana e Serbisë, pavarësisht se vetëm rreth 500 metra më tutje disa qytetarë serbë kishin dalë në mes të rrugës me qëllim që ta bllokojnë këtë pikë kufitare.
Në Jarinjë, ekipi i KALLXO.com ka ndjekur nga afër edhe një rast për të cilin policët u dëgjuan duke u rekomanduar disa mërgimtarëve që të shmangin këtë pikë kalimi për shkak të protestës së paralajmëruar nga qytetarët serbë.
Me gjithë rekomandimet e policëve, qytetarët vazhduan rrugën për në Serbi.
Ajo çka u pa më shpesh në pikën kufitare në Jarinjë ishte qarkullimi i mauneve të mëdha që hynin nga Kosova në Serbi.
Në anën tjetër policët e rendit e ata kufitarë të Kosovës u panë në pikën kufitare Jarinjë duke vazhduar me detyrat e tyre në bazë të planit operacional.
Kishte edhe qytetarë serbë që pranuan të deklarohen për situatën se çka po ndodhte matanë kufirit, nga pika kufitare në Jarinjë.
Darko, një nga qytetarët i cili kaloi përmes pikës kufitare nga Serbia në Kosovë në pikën kufitare në Jarinjë, tha se posedon dy palë dokumente dhe se ka kaluar lehtësisht përmes pikës kufitare në Jarinjë, ndonëse u paralajmërua se një gjë e tillë nuk do të lejohej pasi të gjitha veturat do të ndaloheshin matanë kufirit.
E për Darkon i cili nuk e tregoi mbiemrin, kjo nuk paraqiti problem.
Ai tha se ka persona të cilët kanë dalë për të protestuar, por që nuk janë penguar në qarkullim.
I njëjti tregoi se ka vetura me targa të huaja që janë të ndaluara andej kufirit dhe që po prisnin.
Edhe një qytetar tjetër e tha të njëjtën gjë.
Sa i përket pikë kalimit kufitar në Merdar, në një bisedë për KALLXO.com, komandanti i pikës kufitare në Merdar, Ekrem Koliqi tha se rreth dy kilometra prej kësaj pike kufitare, në anën e Serbisë, disa qytetarë serbë janë tubuar me qëllim për ta bllokuar rrugën.
“E kemi informatën se rreth 2 kilometra prej pikë- kalimit kufitar (në Merdar), janë vendosë një grumbull i njerëzve edhe aty janë t’u protestu” – tha Koliqi, më 06.09.2024.
Sipas Koliqit, në atë kohë kishte qarkullim të veturave nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, por në numër më të paktë.
“Po, veç është numër shumë i vogël (i veturave)” – ka thënë Koliqi.
Tutje, Koliqi tha se i kanë marrë masat e nevojshme, për shkak të paralajmërimit të disa qytetarëve serbë se do të organizohet një protestë në pikat kufitare të Serbisë me Kosovën, më 06.09.2024.
“Na i kemi masat që kemi parapa dhe i kemi ndërmarr… Kemi numrin e mjaftueshëm (të policëve) d.m.th për menaxhim të situatës. Edhe nëse ka nevojë, na kërkojmë edhe asistim” – ka shtuar Koliqi.
Ai tha se nuk kanë vërejtur shqetësime të qytetarëve që kanë qarkulluar në pikë kalimin kufitar të Merdarit.
“Jo absolut. D.m.th është t’u qarkullu veç që është numër shumë i vogël edhe qytetarë të nacionalitetit shqiptar d.m.th nuk ka, shumë pak ka që qarkullojnë. Vetëm këta që qarkullojnë për perëndim- i patëm tash dy vetura me targa gjermane” – ka treguar Koliqi.
Pas disa çastesh, tri pikë kalimet kufitare Serbinë, në Bërnjak, Jarinjë dhe Merdarë u bllokuan zyrtarisht, me njoftimin nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, më 06.09.2024.
Se janë të bllokuara për hyrje dhe dalje nga Kosova këto tri pikë kalime kufitare, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar i bëri të ditura pasi u raportua se në territorin e Serbisës, disa qytetarë serbë i kanë bllokuar rrugët që të çojnë në drejtim të këtyre pikave kufitare.
Por, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar nuk e ka përcaktuar se është e bllokuar edhe pikë kalimi kufitar Kullë, me Malin e Zi, e cila u paralajmërua se do të bllokohet nga qytetarët serbë po ashtu.
Disa orë para se të fillonin protestat e paralajmëruara nga qytetarët serbë në afërsi të pikave kufitare me Kosovën, u ngjallën shqetësime nga kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Sipas Sinanit, rrugët janë simbol i lidhjes dhe bashkimit mes njerëzve. Ajo ka vlerësuar se çdo bllokim rruge nuk është vetëm një pengesë fizike, por një mesazh i qartë i imponimit të izolimit dhe distancimit edhe më të madh.
Si rezultat i kësaj, ajo ka shprehur shqetësimet e saj në rast se bllokohen rrugët për qytetarët e Preshevës.
“Si Kryetare e Komunës së Preshevës, edhe pse vendkalimet në Muçibabë dhe te Dheu i Bardhë aktualisht nuk janë të bllokuara, unë jam thellësisht e shqetësuar me veprimet që kanë ngritur tensione dhe destabilitet në rajon. Komuna jonë ka një numër të madh studentësh dhe punëtorësh që çdo ditë udhëtojnë drejt Kosovës. Çdo akt i mbylljes së dhunshme, qoftë përmes protestave apo veprimeve të tjera, përbën një rrezik real që mund të shkaktojë probleme edhe më të mëdha” – ka shkruar Sinani në Facebook, më 06.09.2024.
Sinani konsideron se kjo situatë vetëm sa rëndon më tej pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, pasi sipas saj, do të ndikonte negativisht në jetën e përditshme të tyre dhe do t’i shtonte ndjenjën e izolimit një komuniteti që tashmë përballet me sfida të mëdha ekonomike dhe shoqërore.
Ajo i ftoi ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian që të reagojnë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
“Ftojmë me urgjencë ambasadat e SH.B.A.-së, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, dhe bashkësinë ndërkombëtare që të reagojnë dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj situate. Duhet të angazhohemi për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve për lëvizje të lirë dhe jetesë të qetë” – ka përfunduar Sinani.
Së fundmi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla reagoi pas mbylljes për qarkullim të pikëkalimit kufitar me Serbinë, në Bërnjak, duke fajësuar Policinë e Serbisë.
“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët”, ka shkruar ai në Facebook, më 06.09.2024.
Sipas tij, një familjeje e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.
“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne. Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”- ka shkruar Sveçla në Facebook, më 06.09.2024.
Përveç ministrit Sveçla, për bllokimin e pikës kufitare në Bërnjak reagoi edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Ministrja Gërvalla theksoi se pika kufitare në Bërnjak mbyllet deri sa të largohen të maskuarit që u panë në anën e shtetit serb dhe të kthehet lëvizja e lirë.
“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet” – ka shkruar Gërvalla në Facebook, më 06.09.2024.
Pas këtij reagimi ka pasuar një tjetër njoftim nga ministri Sveçla. Kësaj radhe për mbylljen e pikës kufitare në Merdarë.
Sipas ministrit Sveçla, mbyllja e pikave kufitare në Bërnjak e Merdarë u bë për shkak të sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve.
“Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës” – ka thënë ai.
Kujtojmë që edhe në të kaluarën ka pasur protesta të tilla, të cilat nuk kanë zgjatur shumë, por që kanë bërë që për periudha të ndryshme pikat kufitare të mbylleshin dhe të njëjtat të hapeshin nga organet e rendit.
Protesta me serioze e konsideruar në vitet e fundit sa i takon pikave kufitare është ajo e vitit 2022. Pika kufitare Jarinjë nga Kosova ishte bllokuar edhe me tela me xhemba. Këto i kishin vendosur KFOR ndërsa kishin njoftuar tutje edhe se kishin informacione se grupe kriminale ishin brenda protestuesve në atë kohë.
Gjithashtu, në Jarinjë KALLXO.com kishte raportuar disa herë se persona të dyshimtë të ndryshëm në periudha të ndryshme protestuan, gjuajtën me mjete piroteknike por edhe këndonin kohë pas kohe këngë e thirrje nacionaliste.
Javën e kaluar, Qeveria mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre dhe kanë kërkuar kthimin në vendet e punës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u pati bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.