Zhvillimet në Lagjen e Boshnjakëve te pllaka përkujtimore e Avni Hajredinit, deklarohet Policia

Disa qytetarë u mblodhën sonte, më 31.10.2024, afër pllakës përkujtimore të dëshmorit Avni Hajredini në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut.

Ata u mblodhën në shenjë revolte ndaj vendosjes së parullave në serbisht me mbishkrimin “Mos u frikëso! Qyteti yt”.

Lidhur me rastin është deklaruar edhe zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Rajonit Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

Ai ka ka treguar se gjatë këtyre zhvillimeve dy veturave u janë shpërthyer gomat, teksa tregoi se qytetarët e mbledhur tashmë janë shpërndarë.

“Ka pasur një stikers që është vendos fillimisht në një përmendore aty afër. Një masë e njerëzve (prej rreth 10 personave) është mbledhur  dhe kemi dy vetura që u janë shpërthyer gomat me mjete të mprehta, nga një gomë në secilën veturë, dhe tash Policia po e heton këtë rast” – tha Elshani.

Djali i dëshmorit Avni Hajredini, Donik Hajredini, në një prononcim për KALLXO.com tha se qytetarët shqiptarë i larguan posterët nga pllaka përkujtimore.

“Qytetarët kanë kalu kësajde, disa qytetarë e kanë largu posterin, i cili ka qenë i vendosur mbi emblemë të Policisë së Kosovës. Nuk është hera e parë që po ndodh kjo, i kanë gjujtë polikolor, e kanë thy me çekiq”- tha ai.

Posterë me mbishkrimin “Mos u frikëso! Qyteti yt!” janë vendosur përgjatë sheshit “Car Llazari” në Mitrovicë të Veriut më 31.10.2024.

Mitrovicë e Veriut, qytetarët heqin mbishkrimin në serbisht nga pllaka përkujtimore e dëshmorit Avni Hajredini

Shënim: Artikulli është edituar, me ç’rast është hequr paragrafi në të cilin thuhej se zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri, Veton Elshani, ka thënë se posterët/stikersi në pllakën përkujtimore është vendosur nga Aleksander Arsenijeviq. Zëvendësdrejtori Elshani e ka konfirmuar gjatë ditës se parullat e tilla janë vendosur në sheshin “Car Llazari”. Koha e editimit: 31.10.2024, ora 22:00.