Zhvillimet më të fundit në Ukrainë

Qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, Kharkiv, u bë një fushëbeteje herët të dielën pasi trupat ruse hynë në zonë, ndërkohë që shpërthime të mëdha e ndriçuan qiellin e natës në jugperëndim të kryeqytetit Kiev.

Presidenti i vendit Volodymyr Zelensky e ka akuzuar Rusinë për “terror” dhe e dërgoi në një gjykatë ndërkombëtare.

  • Luftimet në Kharkiv: Luftimet në rrugë shpërthyen pasi trupat ruse hynë në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës dhe banorëve iu kërkua të qëndronin në strehimore dhe të mos dilnin jashtë e as të mos udhëtonin. Forcat ukrainase kishin arritur t’i pengonin rusët të futeshin në Kharkiv, qytet ky me një popullsi prej 1.4 milionë banorësh, për tri ditët e fundit.
  • Bisedimet në tavolinë: Rusia ka propozuar që bisedimet me Ukrainën të mbahen në Bjellorusi, duke u dhënë ukrainasve një afat deri në orën 15:00 sipas kohës lokale për të pranuar. Presidenti Zelensky nuk pranoi, duke përmendur “veprime agresive” nga territori bjellorus, por duke thënë se ai do të ishte i gatshëm të zhvillonte bisedime diku tjetër. Ukraina tha gjithashtu të dielën se kishte kapur një raketë lundrimi të lëshuar në Kiev nga Bjellorusia.
  • Krimet e luftës: Zelensky njoftoi të dielën se Ukraina ka ngritur një padi kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe më herët të njëjtën ditë i akuzoi trupat ruse për shënjestrimin e civilëve, përfshirë fëmijët, dhe bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar për konfliktin. Zelensky i quajti veprimet e tyre “terror”, ndërsa kryeministri Denys Shmyhal i quajti “krime lufte”.
  • Vdekjet civile: Kombet e Bashkuara thanë të dielën se të paktën 64 civilë ishin vrarë që nga fillimi i pushtimit rus të enjten, me disa të tjerë të plagosur. Një djalë gjashtë vjeçar u vra gjatë të shtënave në Kiev të shtunën në mbrëmje, ndërsa një grua vdiq pasi artileria goditi një ndërtesë banimi nëntëkatëshe në Kharkiv.
  • Numri i refugjatëve në rritje: Gati 400,000 refugjatë ukrainasë janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga e enjtja, njoftoi të dielën Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Radhët e gjata në kufi bëjnë që disa prej tyre të presin më shumë se 60 orë.
  • Bankat ruse të përjashtuara nga SWIFT: Shtëpia e Bardhë, Komisioni Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, mbështetën përjashtimin e disa bankave ruse nga rrjeti financiar i sigurisë së lartë SWIFT dhe u zotuan përpjekje për të “siguruar kolektivisht që kjo Lufta është një dështim strategjik për Putinin.”
  • Ndihma ushtarake ndërkombëtare: Gjermania do t’i dorëzojë Ukrainës 1000 armë antitank dhe 500 raketa Stinger në një ndryshim të madh politikash, ndërsa SHBA autorizoi 350 milionë dollarë ndihmë të re ushtarake. Australia tani do të furnizojë armë vdekjeprurëse përmes partnerëve të NATO-s dhe Franca do të dërgojë karburant dhe pajisje mbrojtëse/./CNN