Zhvillimet më të fundit në konfliktin Rusi-Ukrainë

Presidenti i SHBA Joe Biden e ka paralajmëruar Ukrainën se ekziston një “mundësi e veçantë” që Rusia ta pushtojë Ukrainën në muajin shkurt.

SHBA ka bërë thirrje për një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të hënën lidhur me Ukrainën.

Rusia sheh “pak terren për optimizëm” se tensionet do të zbuten në Evropën Lindore pasi Shtetet e Bashkuara refuzuan kërkesat e saj ndaj Ukrainës.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha megjithatë se disa elementë mund të çojnë në “fillimin e një bisede serioze për çështje dytësore”.

Sipas Pentagonit, më shumë forca amerikane mund të mobilizohen “për të forcuar aleatët tanë të NATO-s”, tha sekretari i shtypit John Kirby.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ka deklaruar se Ukraina është e përkushtuar për zgjidhjen e konfliktit me Rusinë në mënyrë paqësore, por se nëse Rusia sulmon, “ne do të luftojmë”.

Kremlin zyrtar tha se letra e SHBA-së, pjesë e përpjekjeve për ta shmangur konfliktin e armatosur, dështoi të adresojë shqetësimet kryesore të sigurisë së Rusisë, por se është në interesin e të dyja palëve që të vazhdojë dialogu.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se dokumenti i SHBA citon shqetësimet për “veprimet e Rusisë që minojnë sigurinë”, por gjithashtu përfshin fusha të mundshme të terrenit të përbashkët, si kontrolli i armëve dhe rritja e transparencës.

“Pavarësisht nëse ata zgjedhin rrugën e diplomacisë dhe dialogut, nëse vendosin të rinovojnë agresionin kundër Ukrainës, ne jemi të përgatitur në çdo mënyrë”, u tha Blinken gazetarëve.

NATO dërgoi gjithashtu përgjigjen e saj në lidhje me sigurinë evropiane.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar: “Ne përballemi me një moment kritik, me më shumë se 100,000 trupa ruse përgjatë kufirit të saj me Ukrainën dhe më shumë në Bjellorusi.”

Zëdhënësi i Kremlinit Dmity Peskov tha të mërkurën se vendosja e sanksioneve kundër presidentit rus Vladimir Putin do të ishte “shkatërruese”.

Rusia tha të mërkurën se po lëvizte më shumë forca dhe pajisje ushtarake në Bjellorusi përpara stërvitjeve të planifikuara për t’u zhvilluar atje muajin e ardhshëm.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy apeloi për qetësi në një fjalim televiziv të martën, duke u thënë qytetarëve ukrainasë që ta mbrojnë trurin e tyre nga gënjeshtra, zemrën nga paniku.

Zyrtarët amerikanë po punojnë për ti lehtësuar ndërprerjet e mundshme të gazit natyror të furnizuar nga Rusia në Evropë.

Uashingtoni zyrtar ka deklaruar të martën se nëse Rusia e pushton Ukrainën, do të përballet me pasoja ekonomike, duke përfshirë “kontrollet e reja të eksportit” dhe sanksionet e mundshme ndaj presidentit rus Vladimir Putin.

Ndërkohë edhe Kremlini zyrtar tha të martën se po vëzhgon “me shqetësim të madh” pas një lëvizjeje të SHBA për të vënë në gatishmëri 8,500 trupa për dislokim të mundshëm në Evropën Lindore.

Perëndimi po kërkon që Rusia ta bëjë tërheqjen e trupave dhe armëe të saj nga kufiri me Ukrainën, ndërsa Moska po bën presion që NATO ti kufizojë operacionet e saj në Evropën Lindore dhe Qendrore. Rusia gjithashtu këmbëngul se aleanca mbrojtëse perëndimore duhet ta refuzojë ofertën e anëtarësimit të Ukrainës, një lëvizje që Shtetet e Bashkuara e quajnë një “nonstarter” (një plan apo ide që nuk mund të jetë efektive).

Sipas vlerësimeve të SHBA-së dhe Ukrainës, Rusia ka grumbulluar rreth 127,000 trupa përgjatë kufirit të saj me Ukrainën, duke përfshirë Bjellorusinë dhe Krimenë, tashmë, të pushtuar./VoA