Ilustrimi: Kallxo.com

Zhvillimet e fundit nga zgjedhjet presidenciale në SHBA

Pritjes i erdhi fundi. Amerikanët po votojnë sot (05.11.2024) pas një fushate presidenciale që shumëkush e ka vlerësuar si më të errëtën në historinë e re politike. Në orët e fundit, kandidatët, stafi i tyre dhe dhjetëra mija vullnetarë kanë bërë fushatë kudo që kanë mundur në një garë fort të ngushtë dhe që kanë vënë vendin në siklet të madh.

Donald Trumpi ka mbajtur një fjalim prej 90 minutash, plot zemërim në Karolinën Veriore, përderisa Kamala Harris ka fokusuar krejt energjinë në Pensilvani, më i madhi prej shtatë shteteve të fushëbetejës që do ta përcaktojnë emrin e presidentit të 47-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sondazhet i nxjerrin rezultatet e ngushta mes rivalëve, kështuqë kjo garë po konsiderohet si ndër më interesantet ndonjëherë.

Trumpi ka vazhduar ta përshkruajë vendin me fjalë të liga dhe shpesh ka përmendur krimin dhe imigracionin, shkruan gazeta “The New York Times”..

Harrisi ka spikatur temën e unitetit dhe ka folur për fuqizimin e ekonomisë dhe rikthimin e të drejtave federale të abortit.

Gazeta njujorkeze raporton se bazuar në intervista në shumë pjesë të vendit, në mesin e amerikanëve shihet se ka një humor jo fort të mirë për shkak të zgjedhjeve.

Numërimi i votave do të vazhdojë edhe pas natës së zgjedhjeve dhe përcaktimi i rezultatit të garës zgjedhore mund të vonohet gjithashtu.

16:57– Mos u mashtroni prej numërimit të hershëm të votave

Mbërritja e hershme e fletëvotimeve në shtetet amerikane të fushëbetejës së madhe zgjedhore mund të mos jetë tregues i mirë nëse kandidatja demokrate, Kamala Harris, ose rivali republikan, Donald Trump do të fitojë, thonë ekspertët, falë rregullave të numërimit të votave dhe procedurave në disa shtete kritike, raporton Reuters

Në zgjedhjet e 2020-s, disa shtete treguan një “mirazh të kuq”, në të cilin Trump ishte duke udhëhequr natën e zgjedhjeve, përpara se një “ndërrim blu” të ndikonte që demokrati Joe Biden t’ia merrte anën ndërsa numëroheshin fletëvotimet me postë të favorizuara nga më shumë votues demokratë.

Ekspertët kishin parashikuar me saktësi se do të ndodhte, por Trumpi ende e përdori ndryshimin për të përforcuar pretendimet e tij të rreme se zgjedhjet ishin vjedhur.

Mund të ndodhë përsëri këtë javë, veçanërisht në Pensilvani, Miçigan dhe Wisconsin.

E kundërta – një “mirazh blu” që me sa duket tregon një rezultat të fortë për Harrisin, por me mundësi të “ndërrimit të kuq” për të ndryshuar trendin – mund të ndodhë gjithashtu këtë javë, veçanërisht në Karolinën e Veriut dhe Xhorxhia.

Ekipi i fushatës së Trumpit ka thënë se ai planifikon të shpallë fitoren kur ekipi të besojë se ka siguruar 270 votat e Kolegjit Elektoral, të nevojshme për t’i fituar zgjedhjet. Kjo mund të jetë e parakohshme, varësisht prej numrit të votave dhe se prej nga vijnë ato.

Mënyra se si do të zhvillohet gjithçka do të varet nga mënyra se si dhe kur përpunohen dhe numërohen fletëvotimet e shumta me postë ose votimet e hershme në shtete të ndryshme.

Një faktor tjetër është se demokratët priren të jetojnë në zona urbane më të populluara, ku numërimi i votave zgjat më shumë.

11:21- Shtetet amerikane me masa shtesë sigurie nga droja e trazirave

Një rrethojë sigurie rrethon ndërtesën e Las Vegasit, ku do të numërohen fletëvotimet e një komune të Nevadës. Një sherif ka ngritur shkallën e alarmit të departamentit të tij të sigurisë kundër dhunës së mundshme. Janë bërë gati edhe snajperë dhe dronë. Gardat Kombëtare janë aktivizuar ose do të aktivizohen në 19 shtete deri tani për të ruajtur paqen dhe rendin në këto shtete federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku sot po mbahen zgjedhjet presidenciale, raporton më 05.11.2024 agjencia e lajmeve Reuters.

Në Amerikën e tensionuar të martën kur votuesit do ta zgjedhin demokraten Kamala Harris ose republikanin Donald Trump president të ri të Shteteve të Bashkuara, shqetësimet për dhunë të mundshme politike, i kanë  nxitur zyrtarët që të ndërmarrin masa shtesë sigurie gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve.

Shumë prej lëvizjeve më të dukshme mund të shihen në shtetet që konsiderohen fusha të betejës për ta përcaktuar emrin e fituesit të zgjedhjeve. Në Nevada, mbështetësit e Trumpit kishin protestuar pas humbjes së zgjedhjeve më 2020.

Sivjet, një rrethojë sigurie ka rrethuar skenën e vendit ku ishin mbajtur ato protesta – qendrën e numërimit të votave.

Një zyrtar i mbrojtjes ka thënë se shtetet si Alabama, Arizona, Delaware, Iowa, Illinoi, Karolina Veriore, New Mexico, Oregoni, Wisconsin dhe Uashingtoni kanë vendosur në gjendje gatishmërie gardat kombëtare, derisa Uashingtoni DC, Kolorado, Florida, Havai, Nevada, Oregoni, Pensilvania gjithashtu kanë marrë masa sigurie nëse është e nevojshme të aktivizohen gardat e tyre.

09:06- Rusia përshkallëzon përpjekjet për ndërhyrje dhe “ngjall frikë te votuesit” në ShBA

Grupet ruse dhe armiqtë e tjerë të huaj kanë nisur një fushatë të gjerë dezinformimi për të minuar besimin në procesin zgjedhor, dhe zyrtarë të lartë amerikanë kanë shprehur shqetësimin se përpjekjet e Moskës do të mund të shkaktonin pakënaqësi politike derisa të certifikohen zgjedhjet në janar, ka raportuar më 05.11.2024 gazeta “The New York Times”.

Të hënën mbrëma, pak orë para ditës së zgjedhjeve që pritet të jenë më të ngushtat për dekada me radhë, agjencitë amerikane të inteligjencës, të zbatimit të ligjit dhe të mbrojtjes së zgjedhjeve kanë lëshuar një deklaratë duke spikatur edhe njëherë shqetësimin e tyre.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Agjencia e Sigurisë Infrastrukturore dhe Kibernetike dhe FBI-ja kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët se armiq të jashtëm, të udhëhequr prej Rusisë “po kryejnë operacioni shtesë ndikimi me synim minimin e besimin publik në integritetin e zgjedhjeve amerikane dhe po nxisin ndasi në mesin e amerikanëve”.

Në javët e fundit, agjencitë e inteligjencës kanë intensifikuar theksueshëm alarmet dhe paralajmërimet e tyre. Dy javë më parë, paralajmëruan për dhunë të mundshme pas zgjedhjeve. Brenda dhjetë ditësh, kanë lëshuar tri paralajmërime për përpjekjet ruse për minimin e besimit në zgjedhje. Dhe Jen Easterly, drejtoreshë e Agjencisë së Sigurisë Infrastrukturore dhe Kibernetike, ka thënë se organizata e saj do të dalë me informacione të shpeshta të martën për ta informuar publikun për kërcënimet ndaj zgjedhjeve.

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë paralajmëruar për operacione të jashtme ndikimi edhe më parë, sikur edhe më 2016 dhe më vendosmërisht më 2020, por asnjëherë më shpeshtinë e procesit zgjedhor të kësaj vjeshte, shkruan “The Times”.

09:12- Pse presidenti i ri amerikan përcaktohet në një shtet të luhatur?

Fituesi ose fituesja e  zgjedhjeve të sotme presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të qeverisë një komb me më shumë se 330 milionë banorë, por gara me siguri se do të vendoset vetëm nga dhjetëra mijëra votues – një pjesë e vogël e popullsisë – në një pjesë të vogël të shteteve.

Kjo për shkak se vetëm shtatë nga 50 shtetet janë vërtet në garë të ngushtë, derisa pjesa tjetër ka dominim demokratik ose republikan, sipas sondazheve të opinionit publik, raporton Reuters.

Midis këtyre shtatë fushave të betejës, Pensilvania, më e populluara, spikat si shteti më i mundshëm për të përcaktuar nëse demokratja Kamala Harris, apo republikani Donald Trump do të zgjidhet presidenti i ardhshëm.

Strategjitë e kandidatëve pasqyrojnë këtë realitet, me shumicën dërrmuese të shpenzimeve të tyre për reklama dhe aktivitetet e fushatës të drejtuara në ato shtatë shtete që luhaten ndërmjet dy partive politike.

Ndryshe nga zgjedhjet për kandidatët e tjerë federalë dhe zyrat mbarëkombëtare, gara presidenciale nuk bazohet vetëm në votën popullore. Në vend të kësaj, sipas një sistemi të njohur si Kolegji Zgjedhor, kandidati fitues në çdo shtet, si dhe Uashington, D.C., merr votat elektorale të atij shteti, të cilat bazohen kryesisht në popullsi.

Një kandidat duhet të fitojë shumicën e 538 votave elektorale të vendit, ose 270 sosh, gjë që është e mundur edhe kur humb votën e përgjithshme kombëtare, siç i ndodhi Trumpit kur fitoi garën për Shtëpinë e Bardhë në 2016. Në rast të barazimit 269-269, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së zgjedh fituesin, ku delegatët e secilit shtet kanë një votë të vetme — një skenar që analistët thonë se ka të ngjarë të favorizojë ish-presidentin Trump.

Nëse çdo shtet, përveç atyre të fushëbetejave, votohet siç pritej, do t’i jepte zëvendëspresidentes Harris 226 vota elektorale dhe Trumpit 219 sosh, me 93 të mbetura në dispozicion.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com