Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Forcat ukrainase janë zbrapsur nga një bombardim rus në qytetin lindor të vijës së parë të Sievierodonetsk dhe tani kontrollojnë vetëm rrethinat e tij. Serhiy Haidai, guvernatori i Luhansk, tha se pjesa më e madhe e qytetit është në duart e rusëve dhe nuk është e mundur të shpëtohen civilët e bllokuar tani e tutje.

Beteja për Sievierodonetsk është vendi ku po vendoset fati i Donbasit dhe është ndoshta beteja më e vështirë e parë deri më tani gjatë luftës, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Një zyrtar rus në rajonin juglindor të pushtuar pjesërisht të Ukrainës të Zaporizhzhi tha se Rusia ka filluar të dërgojë grurë nga zonat e pushtuara në Turqi dhe Lindjen e Mesme përmes Krimesë. Një zyrtar rus në Krime, Oleg Kryuchkov, tha se treni i parë që ka transportuar grurë ka arritur në Melitopol, një qytet në Zaporizhzhia. Kremlini gjithashtu pretendoi se dërgesat e grurit do të rifillonin në ditët në vijim nga porti ukrainas i Berdiansk i pushtuar nga Rusia pas punës për t’i larguar minat nga aty.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka deklaruar se Moska është e gatshme të hapë korridore për t’i lejuar eksportet e grurit nga Ukraina, por këto përpjekje varen nga pala ukrainase për t’i hequr minat nga portet e tyre. Kievi i hodhi poshtë vërejtjet e Lavrov si fjalë “boshe” dhe tha se nevojiteshin pajisje ushtarake për ta mbrojtur vijën bregdetare dhe një mision detar për t’i patrulluar rrugët e eksportit në Detin e Zi.

Një gazetar ukrainas u përball me Lavrovin në lidhje me eksportet e grurit nga Ukraina gjatë një vizite në Ankara, Turqi. “Përveç drithërave, çfarë mallrash keni vjedhur nga Ukraina dhe kujt ia keni shitur?” ishte pyetja e drejtuar na Muslim Umerov për Lavrov.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paralajmëroi se pushtimi rus i Ukrainës është “kërcënues për ta lëshuar një valë të paprecedentë urie dhe varfërie, duke lënë pas kaosin social dhe ekonomik”. Një raport i OKB-së thotë se rreth 94 vende, ku jetojnë rreth 1.6 miliardë njerëz, janë “të ekspozuar rëndë ndaj të paktën një dimensioni të krizës dhe të paaftë për ta përballuar atë”.

Më shumë se 1000 ushtarakë ukrainas dhe mercenarë të huaj, të cilët ishin dorëzuar në Mariupol, janë transferuar në Rusi për një hetim atje, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass. Më shumë të burgosur lufte ukrainas do të dërgohen në Rusi “më vonë”, thotë një burim rus.

Ekonomia e Britanisë do të vuajë më shumë se çdo vend tjetër i madh industrial nga efektet e pushtimit rus të Ukrainës, sipas OECD, i cili thotë se Mbretëria e Bashkuar do të rritet me 3.6% në 2022 përpara se të ketë rritje zero në vitin 2023.

Ukraina ka marrë miliarda dollarët e parë të një pakete ndihme prej 40 miliardë dollarësh nga SHBA. Ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë, Bridget A Brink, shkroi në internet: “Ta mbështesësh Ukrainën do të thotë ta forcosh ekonominë e saj. Mbështetja e drejtpërdrejtë prej 1 miliard dollarësh është tashmë këtu për tëa ndihmuar Ukrainën dhe njerëzit e saj të vazhdojnë tutje.”

Autoritetet ruse kanë bërë presion edhe më shumë mbi qytetarët që flasin hapur për luftimet në Ukrainë. Një gjykatë në Moskë të mërkurën e zgjati paraburgimin e gazetarit Vladimir Kara-Murza Jr, ndërsa gazetari investigativ rus Andrei Soldatov tha se kundër tij është hapur një çështje penale./The Guardian