Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë 

Tre persona, duke përfshirë një fëmijë u vranë dhe të paktën 11 persona u plagosën në një sulm me raketa në mëngjes herët në kryeqytetin ukrainas, Kiev, që goditi ndërtesa banimi, dy shkolla dhe një klinikë për fëmijë, sipas autoriteteve të qytetit. Sulmi, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, thuhet se përfshinte 10 raketa Iskander me rreze të shkurtër veprimi. 

Raportet e para thanë se një vajzë 11-vjeçare, nëna e saj dhe një grua tjetër u vranë. Mes të plagosurve ishte edhe një fëmijë. Gati 500 fëmijë janë vrarë në sulmet ushtarake në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt të vitit 2022.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar të enjten se së shpejti do të udhëtojë në Turqi për ta diskutuar anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se një paqe e negociuar në Ukrainë mund të duhet të jetë prioritet sesa vënia e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në gjyq për krime lufte. Në një fjalim në Bratislavë, Macron deklaroi: “Nëse në disa muaj që do të vijnë, keni një mundësi për negociata me fuqinë ekzistuese politike ruse, pyetja që do të keni është një arbitrazh midis një gjyqi dhe një negocimi. Dhe do të duhet të negocioni me liderët që keni, de facto, edhe nëse të nesërmen do t’ju duhet t’i gjykoni ata para drejtësisë ndërkombëtare… Përndryshe mund ta vendosni veten në një situatë të pamundur ku të thoni ‘dua që ju të shkoni në burg, por ju jeni personi i vetëm më me të cilin mund të negocioj”.

Macron gjithashtu i kërkoi NATO-s që t’i ofrojë Ukrainës garanci “të prekshme dhe të besueshme” të sigurisë, duke argumentuar se ishte në interesat e Perëndimit ta bënte këtë pasi Kievi “po mbron sot Evropën”. Udhëheqësit do të takohen në Vilnius, kryeqyteti i Lituanisë, në korrik për të diskutuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

SHBA-ja e ka njoftuar një paketë të re armësh prej 300 milionë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe dhjetëra milionë municione, por paralajmëroi Kievin se armatimet amerikane nuk duhet të përdoren për sulme brenda Rusisë. 

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit ka thënë se Ukraina ka të drejtë ta sulmojë territorin rus pasi kualifikohet si vetëmbrojtje. Në një intervistë me uebsajtin gjerman të lajmeve Deutsche Welle, Hebestreit ka deklaruar se “Ligji ndërkombëtar i lejon Ukrainës të kryejë sulme në territorin e Rusisë me qëllim vetëmbrojtjeje”.

Rusia nuk planifikon ta shpallë gjendjen ushtarake pas sulmit të së martës me dron në shkallë të gjerë në Moskë, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Komentet e Kremlinit erdhën pasi disa zyrtarë kryesorë rusë dhe figura pro-luftës, përfshirë sundimtarin çeçen Ramzan Kadyrov, i kërkuan Putinit që t’i përgjigjet sulmeve me dronë duke shpallur një gjendje lufte totale.

OKB-ja ka propozuar që Kievi, Moska dhe Ankaraja të fillojnë punën përgatitore për tranzitin e amoniakut rus përmes Ukrainës, ndërsa përpiqet ta shpëtojë një marrëveshje që lejon eksporte të sigurta të grurit në Detin e Zi, ka thënë për Reuters një burim pranë bisedimeve. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në videofjalimin e tij të natës e ka akuzuar Rusinë për bllokimin e të gjitha aktiviteteve në portin e Pivdennyi, me 1.5 milionë tonë produkte bujqësore të paafta për të lëvizur.

Yevgeny Prigozhin, udhëheqësi i grupit mercenar rus ëagner, ka thënë se ai u ka kërkuar prokurorëve t’i hetojnë “krimet” e kryera nga zyrtarë të lartë të mbrojtjes ruse para dhe gjatë pushtimit të Ukrainës.

Një analizë nga Kyiv Post sugjeron se rreth 90% e 500 raketave dhe dronëve të lëshuar nga Rusia në maj në sulmet ndaj Ukrainës dështuan, me koston e 1.7 miliardë dollarëve. Kjo analizë shton se 533 prej dronëve u shkatërruan nga forcat ajrore ukrainase, duke përfshirë 401 dronë Shahed-136 që kushtojnë rreth 20,000 dollarë secili./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala