Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Pushtimi rus i Ukrainës ka filluar më 24 shkurt 2022. Sulmet nga forcat ruse u raportuan në qytetet kryesore anembanë Ukrainës, duke përfshirë Berdyansk, Chernihiv, Kharkiv, Odesa, Sumy dhe kryeqytetin Kiev. 

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) verifikoi mbi 8.4 mijë vdekje të civilëve në Ukrainë gjatë luftës që nga marsi i vitit 2023. 

Lufta rezultoi në një krizë humanitare, pasi mijëra ukrainas u zhvendosën brenda ose u larguan jashtë Ukrainës. 

Polonia fqinje regjistroi numrin më të madh të kalimeve kufitare nga Ukraina, me rreth 10 milionë që nga marsi 2023, e ndjekur nga Rusia, Hungaria dhe Rumania.

Ndërkohë, sot është dita e 427 e kësaj lufte dhe zhvillimet e fundit në dhe rreth Ukrainës janë si në vijim:

Dy gra janë vrarë dhe 10 janë plagosur në një sulm në një muze në Kupyansk në rajonin e Kharkiv. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka deklaruar se “vendi terrorist po bën gjithçka për të na shkatërruar plotësisht. Historia jonë, kultura jonë, populli ynë. Vrasja e ukrainasve me metoda absolutisht barbare”.

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të martën një dekret përmes të cilit e vendos kontrollin e përkohshëm të aseteve ruse të dy kompanive të huaja energjetike, duke sinjalizuar se Moska mund të ndërmarrë veprime të ngjashme kundër kompanive të tjera nëse është e nevojshme. Dekreti – që përshkruan hakmarrjen e mundshme nëse konfiskohen asetet ruse jashtë vendit – tregoi se Moska tashmë kishte ndërmarrë veprime kundër divizionit rus të Uniper SE dhe aseteve të Fortum Oyj të Finlandës.

Numri i viktimave ditore që po vuan Rusia ka rënë me rreth 30% në prill, ka thënë inteligjenca britanike. Në konferencën e saj të përditshme të inteligjencës, Ministria e Mbrojtjes raportoi se rënia është ndoshta për shkak të përfundimit të ofensivës dimërore të Rusisë, e cila, shtoi ajo, ka qenë një dështim i pjesërishëm. Ministria e Mbrojtjes britanike ka thënë gjithashtu se Rusia tani ka të ngjarë t’i përgatisë trupat e saj për kundërsulmin e Ukrainës.

Kievi zyrta ka pranuar se qëndron prapa një sulmi me dron në gjirin e Sevastopolit, konfirmuan autoritetet ukrainase. Megjithatë, zyrtarët ukrainasë i hodhën poshtë pretendimet ruse se sulmi kishte vënë në rrezik funksionimin e korridorit të grurit.

Moska zyrtare nuk e ka parë “praktikisht asnjë rezultat” nga një pakt me Kombet e Bashkuara që synon t’i ndihmojë eksportet ruse të grurit dhe plehrave, ka deklaruar të martën ministri i Jashtëm Sergei Lavrov. Rusia ka sinjalizuar se nëse nuk plotësohet një listë kërkesash për të hequr pengesat ndaj këtyre eksporteve, ajo nuk do të pranojë ta zgjasë një marrëveshje të arritur përtej 18 majit që e lejon eksportin e sigurt të grurit gjatë kohës së luftës nga portet e Detit të Zi të Ukrainës. Lavrov i fajësoi vendet perëndimore për krijimin e bllokadës lidhur me transportin e grurit.

Parlamenti i Lituanisë votoi të martën në favor të lejimit të rojeve kufitare që të kthejnë migrantët që hyjnë ilegalisht në vend. Lituania kufizohet me shtetet e tjera të BE-së, Letoninë dhe Poloninë, si dhe me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit. Në vitin 2021, Letonia e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe Lituania filloi të planifikonte ndërtimin  e një gardhi me tela për ta ndaluar numrin rekord të emigrantëve që kalonin kufirin e saj nga Bjellorusia.

Ministrat e sportit të Britanisë dhe Francës këmbëngulën të martën se atletët rusë dhe bjellorusë nuk duhet të garojnë asnjëherë si atletë neutralë siç rekomandohet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), sepse ata ende mund të financohen nga qeveritë e tyre.

Rreziqet e një konfrontimi të drejtpërdrejtë ushtarak midis dy fuqive bërthamore, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, janë në rritje të vazhdueshme, citohet të ketë thënë një diplomat i lartë rus për agjencinë e lajmeve Tass. Vladimir Yermakov, udhëheqësi i ministrisë së jashtme për mospërhapjen bërthamore, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve se Uashingtoni po i përshkallëzon rreziqet përmes sjelljes së tij me Moskën.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, ka thënë se partia e tij në pushtet ANC ka vendosur të largohet nga gjykata ndërkombëtare penale, e cila muajin e kaluar lëshoi një urdhër arresti kundër Putinit. ICC lëshoi një urdhër arresti kundër Putinit në mars, që do të thotë se Pretoria, e cila do të jetë nikoqire e samitit e Brics (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) këtë vit, do t’i kërkohet ta paraburgosë Putinin më të hyrë në këtë vend.

Është koha që aleanca e NATO-s të “ndalojë së bëri justifikime” dhe ta pranojë Ukrainën si anëtare, pasi ky vend e ka demonstruar gatishmërinë e tij dhe ka shumë për t’u ofruar, ka thënë ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba. Duke shkruar në Foreign Affairs, Kuleba tha se vullneti politik i aleancës ka “munguar shumë” për çështjen e pranimit të Ukrainës./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala