Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Pushtimi rus i Ukrainës filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Sulmet nga forcat ruse u raportuan në qytetet kryesore anembanë Ukrainës, duke përfshirë edhe kryeqytetin Kiev.
Zyrtarët perëndimorë kanë pohuar se për nga shtrirja, lufta mund të jetë më e madhja në Evropë që nga viti 1945.
Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) verifikoi mbi 6.8 mijë vdekje të civilëve në Ukrainë gjatë luftës që nga dhjetori 2022.
Lufta rezultoi në një krizë humanitare, pasi mijëra ukrainas u larguan në perëndim të vendit të tyre dhe jashtë vendit.
Polonia fqinje regjistroi numrin më të madh të kalimeve kufitare nga Ukraina, me rreth tetë milionë që nga dhjetori 2022, e ndjekur nga Rusia, Hungaria dhe Rumania.

Ndërkohë, zhvillimet e fundit në dhe rreth luftës në Ukrainë janë si në vijim:

Udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, janë takuar për ditën e dytë të bisedimeve në Kremlin. Udhëheqësit kinezë dhe rusë i kanë nënshkruar një sërë dokumentesh mbi një “bashkëpunim strategjik” pas bisedimeve “të suksesshme dhe konstruktive” nga Putini, të cilat treguan se marrëdhëniet Kinë-Rusi janë në “pikën më të lartë” në “të gjithë historinë e dy vendeve tona.” Udhëtimi i presidentit kinez në Moskë është parë si një nxitje e madhe për partnerin e tij strategjik, Putinin.

Xi ka deklaruar se Kina ka një “pozicion të paanshëm” për konfliktin në Ukrainë dhe se e mbështet paqen dhe dialogun, raportuan mediat shtetërore ruse. Xi tutje ka thënë se bisedimet me homologun e tij rus kanë qenë “të hapura dhe miqësore”. Në anën tjetër, presidenti rus Putin, duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp, ka deklaruar se propozimi i Pekinit për t’i dhënë fund konfliktit të Ukrainës mund të jetë baza për një zgjidhje paqësore – kur perëndimi të jetë gati për të. Xi e ka ftuar Putinin ta vizitojë Kinën këtë vit.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka deklaruar se SHBA nuk e shohin Kinën si të aftë për të qenë një ndërmjetës i paanshëm midis Moskës dhe Kievit për luftën në Ukrainë. Ai vuri në dukje se Kina ka vazhduar të blejë naftë ruse edhe pse perëndimi ka vënë sanksione të shumta ndaj industrisë energjetike të Moskës dhe se Kina “vazhdon të përsërisë propagandën ruse”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar tha të martën se e ka arritur një marrëveshje në nivel stafi me Ukrainën për një pako financimi katërvjeçare me vlerë rreth 15.6 miliardë dollarë, duke ofruar fonde që i nevojiten Ukrainës ndërkohë që vazhdon të mbrohet kundër pushtimit rus.

Marrëveshja, e cila ende duhet të ratifikohet nga bordi i FMN-së, merr në konsideratë rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian pas luftës. Fondi tha se bordi i tij ekzekutiv pritet të diskutojë miratimin në javët e ardhshme.

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, është takuar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, në Kiev gjatë një vizite të rrallë, të paparalajmëruar nga lideri japonez. Kishida e vizitoi qytetin e Buçës, ku civilët u vranë nga forcat ruse. Kishida vizitoi një kishë në qytetin jashtë Kievit të martën duke deklaruar se është “i indinjuar nga mizoria” teksa i bëri nderimet e tij viktimave të mizorive ruse kundër civilëve.

Dy aeroplanë bombardues strategjikë rusë fluturuan mbi Detin e Japonisë për më shumë se shtatë orë, thuhet nga martën ministria ruse e mbrojtjes në një deklaratë të lëshuar me fillimin e vizitës së Kishidës në Ukrainë.

Presidenti rus Putin e ka dënuar një propozim të Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar municione që përmbajnë uranium të varfëruar për përdorim në Ukrainë. Nëse Mbretëria e Bashkuar e furnizon Ukrainën me municion me uranium të varfëruar, Rusia do të detyrohet të reagojë, paralajmëroi lideri rus në konferencën e tij për shtyp me presidentin Xi. Ministri britanik i mbrojtjes Ben ëallace ka deklaruar të hënën se Mbretëria e Bashkuar mund të furnizojë Ukrainën me “armatim të blinduar që përmbajnë uranium të varfëruar”.

Presidenti i Ukrainës Zelenskiy ka deklaruar se Kievi i ka sugjeruar Kinës që t’i bashkohej një formule paqeje të Ukrainës për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në vendin e tij. Zelenskiy, duke folur gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Kiev me kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, ka thënë se Ukraina është ende duke pritur për një përgjigje nga Pekini. Ai tha gjithashtu se do t’i bashkohej një samiti të ardhshëm të G7 në Japoni përmes videolidhjes.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka paralajmëruar Kinën kundër furnizimit me armë vdekjeprurëse për Rusinë. “Nuk kemi parë asnjë provë që Kina po i dërgon Rusisë armë vdekjeprurëse, por kemi parë disa shenja se kjo ka qenë një kërkesë nga Rusia dhe se kjo është një çështje që konsiderohet në Pekin nga autoritetet kineze”, u tha Stoltenberg gazetarëve në Bruksel.

Shtatë nga 30 anëtarë e kanë përmbushur objektivin e shpenzimeve ushtarake të NATO-s prej 2% të PBB-së në vitin 2022, një vend më pak se në vitin 2021 përpara pushtimit të Rusisë në Ukrainë, ka deklaruar Stoltenberg. Ai nuk zbuloi se cilat vende e arritën qëllimin, por iu referua raportit vjetor të NATO-s që do të publikohej më vonë të martën.

SHBA po e përshpejton dërgimin e tankeve të betejës Abrams në Ukrainë duke dërguar një model të vjetër të rinovuar që mund të jetë gati më shpejt, sipas zyrtarëve amerikanë. Plani fillestar ishte dërgimi i 31 tankeve më të rinj M1A2 Abrams, por versioni më i vjetër M1A1, i cili mund të merret nga stoqet e ushtrisë dhe do të jetë më i lehtë për forcat ukrainase për ta mësuar përdorimin dhe mirëmbajtjen, do të dërgohet në Ukrainë.

Pesëmbëdhjetë fëmijë janë kthyer nga rajonet ukrainase të pushtuara nga Rusia, Kharkiv dhe Kherson, si dhe nënat e tyre dhe kujdestarët ligjorë të fëmijëve, ka thënë komisioneri ukrainas për të drejtat e njeriut, Dmytro Lubinets. Gjithsej 308 fëmijë janë kthyer në Ukrainë që nga pushtimi i plotë i Rusisë, shtoi ai, duke cituar byronë kombëtare të informacionit të vendit.

Italia do ta mbështesë Ukrainën në rezistencën ndaj sulmeve ruse, pavarësisht nga ndikimi afatshkurtër që kjo zgjedhje mund të ketë në vlerësimin e miratimit të qeverisë italiane, ka thënë kryeministrja italiane, Giorgia Meloni./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala