Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Më 24 shkurt 2022, Rusia e pushtoi Ukrainën në një përshkallëzim të madh të Luftës Ruso-Ukrainase, e cila filloi në vitin 2014. Pushtimi ka të ngjarë të ketë rezultuar në dhjetëra mijëra vdekje nga të dyja palët dhe ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Brenda më shumë se gjashtë muajve nga pushtimi, Rusia përjetoi emigracionin e saj më të madh që nga Revolucioni i Tetorit 1917. Pushtimi ka shkaktuar gjithashtu mungesa globale të ushqimit.

Pushtimi filloi në mëngjesin e 24 shkurtit, kur presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një “operacion special ushtarak” që synonte “çmilitarizimin” dhe “denazifikimin” e Ukrainës. Në fjalimin e tij, Putin i përkrahu pikëpamjet irredentiste, sfidoi të drejtën e Ukrainës për shtetësi dhe pretendoi në mënyrë të rreme se Ukraina qeverisej nga neo-nazistët që persekutonin pakicën etnike ruse. Disa minuta më vonë, raketa dhe sulme ajrore goditën Ukrainën, duke përfshirë kryeqytetin Kiev, të ndjekur nga një pushtim i madh tokësor nga drejtime të shumta. Si kundërpërgjigjie ndaj këtij agresioni, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e miratoi ligjin ushtarak dhe mobilizimin e përgjithshëm.

Pushtimi u dënua ndërkombëtarisht si një luftë agresioni. Një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kërkoi një tërheqje të plotë të forcave ruse, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Rusinë të pezullonte operacionet ushtarake dhe Këshilli i Evropës dëboi Rusinë. Shumë vende vendosën sanksione të reja, të cilat prekën ekonomitë e Rusisë dhe të botës dhe ofruan ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën.

Ndërkohë, zhvillimet e fundit në dhe nga Ukraina janë si në vijim:

Sipas burimeve nga agjencia e lajmeve Reuters, presidenti i Kinës, Xi Jinping, po planifikon ta vizitojë Rusinë javën e ardhshme. Xi gjithashtu planifikon të flasë me Volodymyr Zelenskiy për herë të parë që nga fillimi i luftës, sipas ëall Street Journal. Presidenti i Kinës do të flasë virtualisht me homologun e tij ukrainas, ndoshta pas një vizite në Moskë javën e ardhshme, raportoi gazeta, duke cituar burime të njohura me këtë çështje.

Qeveria italiane ka thënë se grupi mercenar rus ëagner qëndron pas një rritjeje të anijeve me emigrantë që përpiqen ta kalojnë Mesdheun qendror, si pjesë e strategjisë së Moskës për t’u hakmarrë ndaj vendeve që e mbështesin Ukrainën, raportoi Reuters. 

Gjykata Penale Ndërkombëtare synon t’i hapë dy raste të krimeve të luftës të lidhura me pushtimin rus të Ukrainës dhe do të kërkojë urdhërarreste për disa persona. Gazeta raporton se rastet janë akuzat e para ndërkombëtare që ngrihen që nga fillimi i konfliktit.

Moska ka rënë dakord ta rinovojë një marrëveshje që e lejon eksportin e sigurt të grurit nga portet e Detit të Zi të Ukrainës, por vetëm për një periudhë prej 60 ditësh, sa gjysma e afatit të rinovimit të mëparshëm, ka deklaruar zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Vershinin.

Ministri serb i Ekonomisë Rade Basta ka bërë thirrje për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Basta ka deklaruar se Serbia, e cila tradicionalisht ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me Rusinë, ka paguar një “çmim të lartë” për vonesën në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Grupi partizan Atesh pretendon se e ka vrarë nënkryetarin e administratës ushtarake të Nova Kakhovka pak pas mesnatës të së hënës për bashkëpunim me pushtimin rus. Grupi pretendon se ka shpërthyer një bombë teksa ai iu afrua veturës së tij jashtë një kafeneje në Pobedy Avenue dhe se asnjë civil nuk është lënduar.  

Britania e Madhe ka deklaruar se siguria e Mbretërisë së Bashkuar varet nga rezultati i luftës në Ukrainë në një përditësim të kornizës së saj të politikës së jashtme të botuar të hënën. Mbretëria e Bashkuar do t’i investojë 5 miliardë funta shtesë në forcat e armatosura gjatë dy viteve dhe do t’i rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 2.5% të PBB-së.

Presidenti Zelenskiy ka thënë se qeveria e tij do të shpenzojë 13.5 miliardë dollarë për mbrojtjen, përfshirë pagat ushtarake dhe dronët këtë vit.

Reuters raportoi se një ligjvënës i lartë rus paraqiti një projekt-ligj në parlament të hënën për t’a rritur moshën e rekrutimit në 21-30 vjeç nga 18-27 vjet aktual deri në vitin 2026.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass po raporton se autoritetet e instaluara nga Rusia në rajonet e pushtuara të Donetskut po pretendojnë se pothuajse 4,500 njerëz kanë vdekur si rezultat i bombardimeve nga forcat e armatosura ukrainase që nga 17 shkurti i vitit 2022.

Ministria e industrisë e Rusisë tha të hënën se po e zgjeron listën e saj të brendeve që mund të importohen pa lejen e pronarit të brendit tregtar për të përfshirë mallra nga kompani të tilla si Ikea dhe prodhuesit amerikanë të lodrave Hasbro dhe Mattel./The Guardian

 

Përgatiti: Nuhi Shala