Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zhvillime në PDK, tërhiqet Sami Lushtaku

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Skenderaj, Sami Lushtaku, nuk do të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të komunës pasi nuk është certifikuar nga KQZ.

Erfan Smajli nga dega e PDK-së në Skenderaj ka thënë se qëndrimi është që në vend të Lushtakut do të jetë deputeti i PDK-së nga Skenderaj, Fadil Nura.

“Po e sigurtë është që kandidati është Fadil Nura. Në katër ora e kemi për me dërgu aplikacionin. Është marrë vendimi nga KQZ që nuk i lejohet Sami Lushtaku kandidatura”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj vetë Sami Lushtakun, por ai nuk është përgjigjur në telefon.

Ndërsa, Mërgim Lushtaku, në një bisedë për KALLXO.com tha se nuk mund të flas për këtë porse do të ketë një njoftim zyrtarë së shpejti.

KALLXO.com raportoi dje se një dënim iu konfirmua nga Gjykata Supreme Sami Lushtakut.

Gjykata Supreme e Kosovës i ka vërtetuar dënimin për arratisjen nga “Burgu i Dubravës” ish kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Lushtaku ishte gjetur fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës, gjatë kohës kur po mbante dënimin prej 12 viteve për krime lufte në rastin “Drenica”.

Ai me vendimin e Gjykatës së Prishtinës në prillin e vitit 2020 ishte dënuar me 12 mijë euro gjobë.

Sami Lushtaku është dënuar dy herë brenda tre viteve të fundit për dy vepra penale.

Dënimi i parë i marrë ndaj tij është bërë në prillin e vitit të kaluar ku u dënua me 12 mijë euro gjobë për arratisjen nga “Burgu i Dubravës”, ndërsa i fundit në tetor të vitit të kaluar për kanosjen ndaj avokatit Gazmend Halilaj.

Të dy këto vendime janë bërë të plotfuqishme pasi janë vërtetuar nga instancat më të larta.

Për të parin ka vendosur edhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e cila dënimin prej 12 mijë euro e konsideroj si të drejtë, përderisa dënimi i dytë prej 2 mijë euro gjobë për kanosjen e avokatit u vërtetua nga Gjykata e Apelit.

Supremja ia vërteton dënimin Sami Lushtakut

 

www.kallxo.com