KFOR-i zhvendos dy autoblindat e Policisë së Kosovës në Leposaviq. FOTO: KALLXO.com

Zhvendosen mrapa komunës dy autoblindat e Policisë së Kosovës në Leposaviq - VIDEO

Zyrtarët policorë të cilët po qëndrojnë edhe për çështje të sigurisë brenda Komunës së Leposaviqit kanë tërhequr dy autoblindat e tyre të cilat kanë qenë të pozicionuara në pjesën hyrëse të oborrit të kësaj komune.

Konkretisht pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë kanë larguar autoblindat dhe i kanë pozicionuar mbrapa komunës.

Në vendin ku ishin të pozicionuara më parë autoblindat e Policisë janë zëvendësuar me dy automjete të rënda të KFOR-it.

Në Leposaviq tash për disa minuta pati monitorim të KFOR-it edhe përmes helikopterëve.

Situata në Leposaviq është e qetë. Paradite ka pasur dhjetëra protestues të cilët zhvilluan edhe lojëra ndërsa pas nisjes së reshjeve të shiut në këtë zonë protestuesit u larguan.

KFOR-i zhvendos dy autoblindat e Policisë së Kosovës në Leposaviq. FOTO: Adelina Ahmeti/KALLXO.com
Ushtarët e KFOR-it gjatë zhvendosjes së autoblindave të Policisë së Kosovës në Leposaviq. FOTO: Adelina Ahmeti/KALLXO.com
KFOR-i gjatë largimit të autoblindave të Policisë së Kosovës nga hyrja e oborrit në Leposaviq. FOTO: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar  vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Katër kryetar shqiptar u zgjedhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e komunës, tre kryetarët tjerë, i Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk u betuan në objektet e komunave, por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.

Në këtë situatë, intervenoi Policia e Kosovës përmes njësiteve speciale. Ata u përplasen me protestues, ndërsa u përdorë edhe gazi lotsjellës për t’i larguar turmat nga hyrjet e ndërtesave së komunave.

Tashmë në këto komuna të Kosovës ruajtjen e rendit po e bëjnë edhe trupat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-i.

Mirëpo, javën e kaluar ka pasur edhe përleshje mes protestuesve dhe trupave të KFOR-it ku dhjetëra ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.

Gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar as sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve ku këta të fundit janë penguar gjatë raportimit dhe po ashtu disa vetura të mediave janë dëmtuar, djegur e demoluar.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi “Defender 23” .

Nën alarm: Si nisën tensionet në veri?