Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Më 17.07.2024. Foto:KALLXO.com.
Zhurmë e përplasje, por jo edhe rezultate në mbledhjen e Komisionit hetimor për punësimet në MPJD
Edhe pse është themeluar qysh në mars të vitit 2024, Komisioni hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ende nuk ka arritur të gjej gjuhë të përbashkët mes anëtarëve për mënyrën se si të vazhdojnë punën tutje.
Mbledhja që nuk u mbajtë javën e kaluar për shkak të mungesës së kuorumit, u mbajtë sot më datë 17.07.2024. Edhe pse zgjati më shumë se një orë, nuk pati as edhe një votim përpos të rendit të ditës dhe procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara.
Deputetët nga pozita dhe opozita nuk u pajtuan sërish për listën e dëshmitarëve të cilët planifikojnë t’i intervistojnë.
Deri më tani kanë arritur ta intervistojnë vetëm një dëshmitar, ish-Sekretarin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Behar Isma.
Përplasjet e deputetëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes bënë që mbledhja e Komisionit të zgjas pothuasje një orë e 15 minuta, por përsëri mos të dakordohen për çështjen bazike pse është themeluar ky komision.
Tri lista të dëshmitarëve janë propozuar deri më tani: njëra nga ekspertët e pavarur të komisionit përkatës, tjetra nga opozita (AAK-LDK dhe PDK) dhe e treta nga pozita. Por, asnjëra nuk u votua gjatë mbledhjes, për shkak se secila palë nuk pajtohej për një kompromis.
Derisa deputetet Ariana Musliu-Shoshi (PDK) dhe Rrezarta Krasniqi (LDK), kërkojnë që të intervistohen dëshmitarë për periudhën kohore 2021-2023, deputetët e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, Arbëresha Kryeziu, Gazmend Gjyshinca dhe Jeta Statovci, kërkojnë që të fillohet nga dëshmitarët e vitit 2011 e tutje.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha dhe kryesuesja e Komisionit, Time Kadrijaj, thanë që të nisin nga tani e kurdo që përmenden vite të tjera, le të thirren në intervistim dëshmitarë edhe nga viti 2011 në qoftë nevoja.
Lëvizja Vetëvendosje kërkonte që të votohet lista e tyre e mbi të të shtohen edhe emra të tjerë më pas. Ndërsa opozita kërkoi që të hudhen në votim të trijat e pastaj administrata e Komisionit t’i fshijë përsëritjet e të lë një listë të vetme që përfshin të trijat.
“Nuk mundemi t’i votojmë listat si pako se ka të emëruar politik. Lista që është përpiluar nga ekspertët është e mirë, por ka mangësi. Unë vlerësoj që pas intervistimit të ish-sekretarit të Ministrisë së Jashtme, duhet t’i intervistojmë diplomatët e vitit 2011, që u shkarkuan në vitin 2022”- tha deputetja Fitore Pacolli.
Sipas Pacollit, nuk mundet me pasë listë e mos me pasë Enver Hoxhajn. Ndërkaq, Musliu-Shoshi këmbëngulte që një gjë e tillë mund të ndodhë pasi të intervistohet ministrja e tanishme, Donika Gërvalla.
Opozita këmbënguli që periudha kohore për të cilën është themeluar ky komisioni është vetëm 2021-2024, dhe nëse pozita dëshiron komision për vitet paraprake le të themelojnë një komision të ri.
“Na nuk mundemi njëherë 2011 e pastaj 2021… E formojmë një komision tjetër nëse doni në vite paraprake”- tha Time Kadrijaj.
Deputetja, Ariana Musliu Shoshi, ka thënë që të tri listat pak a shumë i përfshijnë personat e njëjtë.
“Kemi një qeveri që e shkel Kushtetutën dhe pesë parë si jep, shkel ligjet pesë parë si jep, shkel aktet nënligjore pesë parë si jep. Unë nuk e di çfarë dëshmie më të madhe duhet të kemi se sa unë sot mediave t’ia japë kërkesën zyrtare për themelim të këtij Komisioni dhe t’i shohin të gjitha detajet që janë në këtë kërkesë”- tha ajo.
Pas këtyre deklaratave pati një përplasje fjalësh mes deputetes Musliu-Shoshi dhe Kryeziu-Hysenit.
“Është turp ne si deputet me ardh edhe me i marr qeto mëditje në këtë komision për këtë lloj cirku që është duke u shkaktuar në këtë mbledhje. Marre po më vjen se çka jemi duke diskutuar dhe nuk kemi konkretizuar asgjë. Çohet një deputet që nuk e ka idenë cila është ideja dhe koncepti që e ka bërë kërkesën që me krijuar këtë Komision dhe na mban neve ligjërata, veç pse i mungon argumenti. Mbylle mikrofonin. Ky reagim, ky sikleti që e ke, e ke një hall. Keni ra në gropë” – tha Hyseni-Kryeziu.
Sipas saj, nuk është e arsyeshme që të ftohen pesë persona prej Sindikatës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, por mjafton që të flasë vetëm një përfaqësues, e “jo persona që janë zhurmaxhikë e që veç bëjnë zhurmë”.
Ndërkaq, deputeti Gazmend Gjyshinca tha që nuk ka asgjë të keqe që të ftohen edhe diplomatët politik, por ngriti pyetjen se çfarë rëndësie i jep një gjë e tillë hetimit.
Kurse, deputetja Rrezarta Krasniqi tha që vet janë duke shkelur atë që kanë votuar, ngase nuk po respektohet periudha kohore për të cilën është themeluar komisioni.
Deputeti, Hisen Berisha tha që çdo dalje nga kjo është tendencë me u pengu procesi.
Deputetja Jeta Statovci tha që është e rrugës dhe tërësisht e logjikshme që të niset prej vitit 2011, ashtu qysh tha edhe dëshmitari i parë.
Mbledhjet e këtij komisoni në vazhdimësi janë përshkuar me përplasje. Ndërkohë, ende nuk kanë arritur të sigurojnë qasje në të gjitha dokumentacionet të cilat janë kërkuar nga MPJD-ja për të vazhduar më tutje punën e tyre.
Iniciatorja e komisionit, deputetja Musliu-Shoshi kishte kërkuar dokumentacione që i përkasin periudhës 2021 – 2023, ndërkaq pozita ka kërkuar dokumente edhe para mandatit të tyre.Musliu-Shoshi kishte kërkuar që të themelohet ky komision që t’i hetojë të gjitha “degradimet që janë bërë në MPJD”, duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet e çështje të tjera.
Ndër tjera, Musliu-Shoshi, kishte kërkuar procesverbalet, dosjet, shpalljet e konkurset, vendimet e komisioneve, përbërjen e komisioneve, vendimet për transferet e brendshme, vendimet për transferet paralele nga një mision në tjetrin, procedurat e emërimit, qasja në vendimin për dërgimin e diplomatëve në mandatin e parë, vendimet për emërimet zyrtarëve nga jashtë, qasje në pagat e diplomatëve, dosjen e ish-sekretarit Behar Ismës, qasje në shpenzimet e kabinetit të ministres Gërvalla.