Ilustrim, Foto: Kallxo.com, Gastronomia

Zhurma e lokaleve të Prishtinës, Komuna e hedh në konsultim publik projekt-rregulloren për ndotjen akustike

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se për herë të parë në kryeqytet e kanë gati Projekt Rregulloren për orarin e punës dhe mbrojtjen nga ndotja akustike në sektorin e gastronomisë.

Me këtë rregullore përcaktohet orari i punës për subjektet afariste në sektorin e gastronomisë si dhe parandalimi dhe shmangia e efekteve të dëmshme, përfshirë bezdisjen e qytetarëve si rezultat i ekspozimit të zhurmës të krijuar nga sektori i gastronomisë.

Lidhur me këtë, komuna do organizojë diskutime publike me qytetarë për sugjerime e ide të reja të përbashkëta në identifikimin e zgjidhjeve efektive për qytetarët dhe sektorin e Gastronomisë.

Konsultimi i parë publik me sektorin e gastronomisë mbahet nesër, më datë 17 nëntor, ora 17:30 në Sallën e Kuvendit Komunal, në ndërtesën e vjetër të Komunës.

Ndërsa, diskutimet e radhës për Projekt Rregulloren, do të mbahen sipas datave:
22 nëntor, ora 17:30, salla e Kuvendit Komunal – Me qytetarë dhe anëtarë të Kuvendit Komunal; 23 nëntor, ora 17:30, salla e Kuvendit Komunal – Me policinë dhe përfaqësues të këshillave lokal.

Në vijim gjeni nivelin e decibelëve të lejuar në zona të ndryshme në kryeqytet:

Sipas projekt rregullores, orari i punës përcaktohet në bazë të llogaritjes verore dhe dimërore, në intervale kohore: periudha verore fillon më 1 prill dhe mbaron më 30 shtator; periudha dimërore fillon më 1 tetor dhe mbaron më 31 mars.

Orari i punës në kafene dhe restaurane, pavarësisht zonës, duhet të jetë brenda kornizave kohore: periudha verore, prej orës 06:00 – 24:00; periudha dimërore, prej orës 07:00 – 24:00.

Në këtë projekt rregullore theksohet se pavarësisht orarit, Kryetari i Kryeqytetit me vendim të veçantë mund të lejojë zgjatjen e orarit edhe për 2 orë shtesë gjatë periudhës 15 korrik – 15 gusht. Gjatë këtyre orëve shtesë decibelët mbesin të njëjtë.

Orari i punës në klube të natës duhet të jetë brenda kornizave kohore, sipas zonave të caktuara: periudha verore, në zonë urbane prej orës 24:00–03:00 dhe në zonë industriale dhe rurale prej orës 24:00–05:00; Periudha dimërore, në zonë urbane prej orës 23:00–02:00 dhe në zonë industriale dhe rurale prej orës 23:00-04:00.

Në këtë projekt rregullore që pritet të dal në diskutim publik potencohet se, pronarët e lokaleve janë të obliguar që të lejojnë montimin e pajisjeve për matjen e nivelit të zhurmës në hapësirat e subjektit të tyre afarist dhe nuk guxojnë t’i dëmtojnë apo të marrin veprime të cilat pengojnë këto pajisje që të bëjnë matjen e nivelit të zhurmës.

Pajisja për matjen e zhurmës monitorohet nga një sistem softueri, të dhënat e të cilit do të mbeten pronë intelektuale e Kryeqytetit dhe përdoren në pajtim me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Softueri duhet të përmbajë dhe t’i ofrojë të dhënat si në vijim: Nivelin e tejkaluar të zhurmës në lokalin përkatës; Datën dhe kohën e tejkalimit të nivelit të zhurmës; dhe vendin dhe të dhënat e pronarit të lokalit.

Sipas projekt rregullores, Softueri duhet të ruaj në kohë reale te dhënat dhe në kohë reale të njoftoj pronarin e lokalit afarist për tejkalimin e zhurmës.

Tejkalimi i nivelit të lejuar të zhurmës sipas vlerave të përcaktuara në certifikatën e lëshuar për subjektin afarist duhet të ndodhë në kohë pa ndërprerje mbi 5 minuta që të konsiderohet shkelje.

Tutje, në projekt rregullore behët e ditur se Inspektori i inspektoratit të Kryeqytetit, ka të drejtë që të shqiptoj gjobat në pajtim me legjislacionin në fuqi. Për shkeljet e dispozitave të kësaj Rregulloreje, varësisht nga niveli i shkeljeve dhe në përputhje me rrethanat ku ndodhë shkelja, do të shqipton gjobat në vlerë minimale prej 500 euro dhe në vlerë maksimale prej 5,000 euro.

Komuna bënë të ditur se prej momentit të hyrjes në fuqi të kësaj Rregulloreje e deri me 31 mars 2023 konsiderohet periudhë e vetëdijesimit dhe informimit për subjektet afariste si dhe periudhë brenda së cilës subjektet afariste aplikojnë për t’u pajisur me çertifikatë dhe pajisje për matjen e zhurmës.

Prandaj, gjatë kësaj periudhe nuk do të aplikohen masat dhe gjobat e parapara me këtë rregullore.

Në prill të këtij viti komuna kishte ndarë 180 mijë euro për blerje të senzorëve akustik për matje të zhurmës në qytet.

Kontrollimi i zhurmës/muzikës nëpër lokale ka qenë pjesë e premtimeve të kryetarit Përparim Rama gjatë fushatës zgjedhore.

Planifikohet që nga janari i vitit 2023 të nisë vendosja e 1 mijë pajisjeve për matje të zhurmës në kafeteritë në Prishtinë