Zhgënjimi i të mbijetuarit të masakrës me institucionet e drejtësisë

Bajam Zylfiu, njëri nga të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Vogël, tha se ndihet i zhgënjyer si ‘dëshmitar’ i kësaj masakre.

Ai tha se ka dëshmuar me dhjetëra herë para institucioneve rreth asaj se çfarë kishte përjetuar.

“Neve si dëshmitarë na kanë zhgënjyer shumë, na kanë maltretu shumë. Unë nuk e jap veten për pare por e dua të vërtetën. Dikush nuk e donte të vërtetën por vetëm paranë. Kanë ardhë plot këso shoqata që jepshin pare për me japë dëshmi të rrejshme. Kanë thanë edhe që do t’i vrasim dëshmitarët kinse se ne po gënjejmë”, tha ai.

I ftuar në “Kallxo Përnime”, Zyfliu e quajti ‘tmerr’ kur pas rikthimit në qershor të 1999 kishte parë shkatërrimin e vendit në të cilin kishte ndodhur masakra e Krushës së Vogël’,

“Tmerr i madh u kanë kur e kam pa që vendin e ngjarjes e kanë largu me bager. Kam pa edhe dheun e shtëpisë ku ka ndodhë ngjarja buzë lumit Drin. Kanë ardhë patologët kanë gjetë disa eshtra edhe në vend të ngjarjes”, tha ai.