Zhgënjejnë fabrikat kineze – zbehen shpresat për rimëkëmbje të shpejtë
Rritja e prodhimtarisë së fabrikave kineze është ngadalësuar dhe nuk ia ka dalë të përmbushë pritjet në korrik, duke shtuar një seri indikatorësh që tregojnë se ekonomia e dytë më e madhe e botës po ka telashe të përshpejtojë ritmin e ngritjes edhe pas mbështetjes së fundit qeveritare, shkruan Reuters.
Prodhimi industrial është ngritur 5.1 për qind krahasuar me një vit më parë, kanë treguar të dhënat e Zyrës Kombëtare të Statistikave, por duke shënuar rënie krahasuar me qershorit kur prodhimi u ngrit për 5.3 për qind. Prodhimi i korrikut ishte poshtë pritjeve për rritje prej 5.2 për qind, vlerëson Reuters duke u bazuar në të dhëna të nxjerra nga analistët.
Në një kontrast pozitiv, treguesit mujor të aktivitetit të Zyrës Kombëtare të Statistikave treguan se shitjet me pakicë, matës i konsumit, u rritën për 2.7% në korrik, duke shënuar përshpejtim nga një rritje prej 2.0% në qershor dhe tejkaluar pritjet për rritje prej 2.6%, një shenjë e përpjekjeve për të rritur shpenzimet e familjeve, që u detyruan të rrudhnin dorën.
Sidoqoftë, analistët paralajmërojnë se pasqyra më e gjerë është ende sfiduese për politikëbërësit, duke sugjeruar se janë të nevojshme më shumë masa stimuluese.
Banka Qendrore e Kinës në një takim në fillim të muajit bëri të ditur se do të fuqizonte përkrahjen financiare për ekonominë më të gjerë dhe se do të merrte masa me qëllim të rritjes së konsumit. Por me kërkesën e brendshme kaq të ulët dhe me një pasqyrë të mjegullt, familjet dhe bizneset janë në ngut për të marrë hua, vlerëson Reuters.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com