Zhdukja e shokut të qelisë së Astrit Deharit, reagon Albulena Haxhiu

Deputetja e zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas raportimit të KALLXO.com mbi arratisjen e shokut të qelisë që po mbahej me Astrit Deharin, anëtarin e LVV-së.

“Mbrëmë nga portali KALLXO.com u informuam se njëri nga personat që ka qenë në dhomë me aktivistin tonë Astrit Dehari është zhdukur. Padyshim se ky lajm ishte tronditje e radhës për të gjithë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Albulena Haxhiu ditë më parë u propozua për ministre të Drejtësisë nga pretendenti për forumin e Qeverisë, Albin Kurti.

“Sikurse mbrëmë as sot nuk kemi asnjë informacion se a janë të sakta këto lajme, nëse po, çfarë po bëjnë institucionet në këtë drejtim. Familja, aktivistët dhe qytetarët duhet të njoftohen sa më parë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Në fund ajo ka kërkuar drejtësi për rastin e Astrit Deharit.

Adonis Gashi, njëri nga tre shokët e qelisë në të cilën po mbahej Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë.

Burime të KALLXO.com thonë se Gashi është arratisur ndërsa vendndodhja e tij nuk dihet.

Gashi ishte dënuar në rastin e vrasjes së policit Shemsedin Gashi ndërsa ishte në liri për disa muaj pas shpalljes së aktgjykimit nga gjykata e shkallës së parë.

Lexo të plotë raportiin e KALLXO.com:

Zhduket shoku i dhomës së Astrit Deharit

www.kallxo.com