Zhdukja e mjekut Hafir Shala, jepen fjalët hyrëse në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Sllavisha Filiq

Janë dhënë fjalët hyrëse në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Sllavisha Filiq më datë 25.11.2024 në Gjykatën e Prishtinës. Shqyrtimi gjyqësor në këtë rast është duke u zhvilluar në mungesë të të akuzuarit Filiq.

Sllavisha Filiq po akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku edhe me dy zyrtarë  tjerë të këtij shërbimi, deri më tani të panjohur për organet e ndjekjes, po akuzohet për maltretimin ndaj mjekut Hafir Shala, i cili ende është i zhdukur.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Atdhe Dema, fjalën hyrëse e paraqiti edhe mbrojtësja e të akuzuarit Sllavisha Filiq, avokatja Milka Milosavljeviq.

“Me këtë rast kam nderin që të jem pjesë e një procedure jashtëzakonisht të ndejshme që ka të bëjë me zhdukjen e një personi autoritativ, qytetar i këtij vendi, i cili në mënyrën më mizore të mundshme i humbë të gjitha gjurmët që nga data 10 prill 1998,  që sot e kësaj dite nuk dihet asgjë”- tha prokurori Dema.

Tutje prokurori Dema tha se kjo aktakuzë vërteton në tërësi veprimet inkriminuese të të akuzuarit Filiq veprime të cilat kanë të bëjnë me kohën vendin dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale.

Tutje, prokurori Dema në fjalën hyrëse të tij tha se “pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor pa mëdyshje do të bindeni se vepra penale për të cilën ngarkohet i akuzuari Sllavisha Filiq, është kryer me dashje direkte”.

Prokurori Dema tutje shtoi se prokuroria ka tentuar ta sjellë të akuzuarin Filiq në sallë por fatkeqësisht nuk kanë arritur për shkak të rrethanave.

I njëjti tha se pas admirimit të provave, është i sigurt që gjykata do të bindet se i akuzuari është fajtor për veprën penale e cila i vihet në barrë dhe i njëjti do të dënohet konform ligjit.

Fjalën hyrëse e ka paraqitur edhe mbrojtësja e të akuzuarit Sllavisha Filiq, avokatja Milka Milosavljeviq. E njëjta tha se e tërë aktakuza bazohet në thashetheme, dhe kërkoi nga gjykata hedhjen e aktakuzës.

“Mbes si në tërësi si në kundërshtimin e dhënë që gjykata ta refuzojë aktakuzën në tërësi, e njëjta është e bazuar në spekulime”- tha avokatja Milosavljeviq.

“Duke dëgjuar me vëmendje prokurorin edhe vet keni mundur të vini në përfundim se prokurori tani në fjalimin e tij ka dhënë deklaratë jo logjike, dmth e ka thënë shprehjen “E kanë marrë Shalën”, qysh e shpjegon që e kanë marrë”- shtoi tutje gjatë fjalës hyrëse avokatja Milosavljeviq.

Lidhur me propozimin e avokates Milosavljeviq për hedhje të aktakuzës, gjyqtarja Violeta Namani- Hajra e njoftoi të njëjtën se koha për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave ka kaluar dhe se tani janë në shqyrtim gjyqësor.

Prokurori Atdhe Dema propozoi që dëshmitë e katër dëshmitarëve të propozuar në aktakuzë të konsiderohen si të lexuara, pasi që të njëjtit kanë ndërruar jetë, dhe certifikatën e vdekjes të tyre do t`ia sjellë gjykatës në seancën e radhës.

Lidhur me propozimin e prokurorit Dema për leximin e dëshmive të katër dëshmitarëve, avokatja Milosavljeviq tha se ia lë në vlerësim të Gjykatës.

Përfaqësuesi  i palës së dëmtuar, avokati Kadri Mjekqi, kërkoi që seanca të ndërprehet pasi që nuk janë pajisur me shkresat e lëndës.

Gjykimi ndaj Sllavisha Filiq është duke vazhduar në mungesë pasi që me të filluar ky gjykim kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani ka konsideruar se janë përmbushur të gjitha kushtet që gjykimi të procedohet në mungesë të të akuzuarit.

Seanca fillestare lidhur me këtë rast është mbajtur më 15.05.2024.

Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Violeta Namani- Hajra kryetare, anëtarë Lutfi Shala, Kushtrim Shyti.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë ?
Sipas dosjes së prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri Sllavisha Filiq, në cilësinë e personit zyrtar, si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku edhe me dy zyrtarë  tjerë të këtij shërbimi, deri më tani të panjohur për organet e ndjekës, më datë 10.04.1998, derisa viktima Hafir Shala, mjek me profesion, po udhëtonte me veturë private nga Drenasi (Gllogoci) për në Prishtinë së bashku edhe me dy persona tjerë, përkatësisht Hetem Sinanin dhe Shaban Hazirajn, me të arritur në udhëkryqin e Sllatinës, afër aeroportit të Prishtinës, të njëjtit janë ndaluar nga pjesëtarë të uniformuar të Policisë serbe dhe Sigurimit Shtetëror të Serbisë, në mesin e të cilëve ishte edhe i pandehuri Sllavisha Filiq.

Në aktakuzë thuhet se pasi që ishin ndaluar, fillimisht ishin legjitimuar nga ana e policisë, pastaj Dr.Hafir Shala ishte marrë nga i pandehuri Sllavisha Filiq dhe dy të dyshuarit tjerë – të tre të veshur me rroba civile, i njëjti ishte futur në veturën “Opel”, e tipit “Frontera”, me targa të regjistrimit PR-986-16, të cilën e drejtonte i pandehuri dhe ishte dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë, andaj lidhur me këtë; Me ketë, në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.