Prokuroria Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Zhdukja e biznesmenit Bedri Rexhepi, Prokuroria jep detajet për veprimet e ndërmarra

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se për çështjen penale të rastit të zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi, Prokurori i Shtetit është duke punuar me seriozitetin maksimal dhe me të gjitha kapacitetet që disponon në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës, për ta zbardhur atë.

Sipas njoftimit për media Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast, pasi me urdhër të njëjtit është ndaluar një person i dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi” dhe një person i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Shantazhi”, “Prezantimi i rremë si person zyrtar“, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Manipulimi me prova”, të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit.

Gjithashtu bëhet e ditur se deri më tani, përkundër bashkëpunimit edhe me strukturat e sigurisë së Kosovës, KFOR-in, FSK-ja, etj, nuk është arritur të identifikohet vendndodhja e tani të dëmtuarit Bedri Rexhepi.

“Ne e kuptojmë shqetësimin e familjes së të dëmtuarit dhe të shoqërisë në përgjithësi për faktin se deri më tani nuk është ndriçuar në tersi kjo çështje penale, mirëpo ju njoftojmë se Prokuroria është duke e trajtuar me seriozitetin më të lartë këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prishtinës.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për rastin e zhdukjes së mistershme të biznesmenit Bedri Rexhepi.