Zhduket qytetari nga Shqipëria që doli të mblidhte boronica në Dragash, operacion i madh kërkim-shpëtimi nga dy vendet

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 4 shtator 2022 në orët e vona të mbrëmjes, familjarët e një 26-vjeçari nga fshati Borje i Shqipërisë kanë raportuar për zhdukjen e tij.

Sipas Policisë, 26-vjeçari atë ditë kishte dalë në bjeshkët e fshatit Brod të Dragashit për të mbledhur boronica. Tutje është thënë se shokët e tij ishin kthyer nga bjeshka, por ai jo.

“Që nga momenti i raportimit të personit si person zhdukur, Policia e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë kanë filluar një operacion kërkim-shpëtimi” – është thënë në njoftim.

Sipas Policisë, më 5, 6 dhe 7 shtator është realizuar një operacion i zgjeruar, ku përveç forcave policore të dy vendeve janë përfshirë Forcat e Sigurisë së Kosovës si dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim dhe vullnetar.

“Dje me datë 7 shtator 2022 vet Drejtorit Rajonal Policisë së Prizrenit, Kolonel Faton Alija, me stafin e tij ka dal në vend ngjarje për të koordinuar operacionin, aty ai u konsultua me Komandantin e Stacionit Policor të Dragashit, me Policinë Kufitare të Kosovës, me Policinë Kufitare te Shqipërisë, me Njësinë Kërkim-Shpëtimit të FSK-ës dhe me pjesëtaret e Shoqatës së Kosovës për kërkim-shpëtim” – është thënë në njoftim.

Alija, sipas njoftimit, ka urdhëruar që sot në operacion të dërgohet edhe Njësia e Reagimit të Shpejtë si dhe hetuesit rajonalë për të marrë rastin në kompetencë.

Në operacion, përpos personelit të përfshirë, FSK-ja ka përdorur për kërkim edhe qentë e terrenit dhe motoçikleta me 4 rrota për terren malor dhe po ashtu edhe Policia e Shqipërisë ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë dronin.