
Trafiku në Prishtinë Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Zhdoganimi i veturave të importuara nga Koreja e Jugut me katalog të Gjermanisë, qindra ankesa në Doganë
Vetëm në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024, qindra qytetarë janë ankuar se Dogana e Kosovës i ka “mbivlerësuar” veturat që i kanë blerë në Korenë e Jugut. Ankesat nuk janë ndalur as në muajt e parë të këtij viti.
Një qytetar që ka preferuar të mos i përmendet emri e që është kontaktuar nga Kallxo.com te objekti i Doganës, tregon se ka deponuar ankesë pasi vetura e tipit “Tiguan” 2016, të cilën e ka blerë në Korenë e Jugut rreth 8 mijë euro, Dogana ia ka vlerësuar afër 12 mijë euro.
Si pasojë, ai thotë se është obliguar që të paguaj 4 mijë euro për zhdoganim.
“Duke mos e përdorë metodën e parë të vlerësimit, atë të çmimit real, Dogana më ka dëmtuar financiarisht. Për këtë arsye po e bëj edhe ankesën” – ka thënë ankuesi.
Për të njëjtë gjë është ankuar edhe një qytetar tjetër. Ai pretendon se vetura e tij e importuar nga Koreja e Jugut, është mbivlerësuar për 5 mijë e 600 euro nga ana e Doganës.
“Qe ku është vetura, pse me e vlerësu me katalog të Gjermanisë veturën e Koresë” – tha ai.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës, ka thënë se në rastet e zhdoganimit të veturave kur çmimi i deklaruar, sipas tyre, nuk është i pranueshëm për qëllime doganore, Dogana përdor katalogun e veturave për të caktuar vlerën reale të mallrave.
Sipas Stavilecit, katalogu siguron një bazë të besueshme për vlerësimin e drejtë dhe të saktë të automjeteve, duke shmangur praktikat e nënvlerësimit.
“Sa i përket veturave të importuara nga Koreja [e Jugut], është vërejtur se vlera e deklaruar për zhdoganim shpesh është shumë më e ulët se çmimi real i tyre, duke arritur deri në rreth 30% të vlerës reale. Ky nënvlerësim bie ndesh me praktikat e rregullta të vlerësimit doganor dhe nuk reflekton çmimin real të automjeteve të ngjashme që importohen nga vende të tjera” – ka thënë Stavileci.
“Për këtë arsye, Dogana e Kosovës nuk e pranon një vlerë të tillë të deklaruar dhe e trajton si nënvlerësim të mallit. Kjo masë është pjesë e angazhimit të Doganës për të siguruar një proces të drejtë dhe të barabartë të vlerësimit doganor, duke parandaluar shmangien fiskale dhe duke garantuar konkurrencë të ndershme në treg”.
Pikërisht për katalogun e veturave, qytetarët janë ankuar se ai nuk është publik dhe si rrjedhojë, nuk mund të kenë informata se sa mund t’u kushtojë zhdoganimi në Kosovë, nëse vendosin për të blerë nga jashtë Kosovës, një veturë të caktuar.
Por zëdhënësi Stavileci ka thënë se për katalogun në fjalë, qytetarët mund të interesohen tek Dogana ose tek agjencionet doganore.
“Qytetarët mund të interesohen për të marrë përgjigje nga Dogana dhe nga agjensionet doganore (shpediterët) për vlerën e veturës dhe tatimet që duhet paguar” – tha Stavileci.
Vetëm nga muaji korrik deri në muajin gusht të vitit 2024, Dogana e Kosovës ka marrë 443 ankesa nga qytetarë të ndryshëm, për vlerësimet rreth veturave të importuara nga Koreja e Jugut.
Qytetarët, sipas zëdhënësit Stavileci, nëse konsiderojnë se malli i zhdoganuar është i mbivlerësuar përmes katalogut, ata njoftohen për një gjë të tillë nga Dogana ose nga agjenti doganor përmes sistemit ASYCUDA, ku në formular të rivlerësimit evidentohet se malli është rivlerësuar ashtu siç parashihet ne Kodin Doganor dhe Akcizve të Kosovës.
“Në rast se pala është e pakënaqur me një rivlerësim të tillë, pala mund të ushtroj ankesë në zyrën e ankesave të Doganës së Kosovës, Sektori i Rishqyrtimit të Vendimeve” – ka thënë zëdhënësi Adriatik Stavileci.
Sipas Doganës së Kosovës, vetëm përgjatë vitit 2024, në Kosovë janë importuar 5 mijë e 102 vetura nga Koreja e Jugut, me vlerë totale prej 69 milionë e 242 mijë eurove. Prej këtyre veturave të importuara, Dogana ka marrë 6 milionë e 806 mijë euro taksë doganore; 2 milionë e 849 mijë euro janë paguar akcizë dhe 14 milionë e 722 euro TVSH.