Zhbllokohet puna në Kuvend, LDK e AAK pajtohen me qeverinë për të hyrat vetanake të komunave
Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se prej sot do t’i rikthehen votimit në Kuvendin e Kosovës pas dakordimit që kanë arritur me Qeverinë lidhur me çështjen e të hyrave vetanake të komunave.
Nga LDK dhe AAK kanë thënë se për këtë çështje janë marrë vesh me ministrin e Financave Hekuran Murati.
Sipas tyre, çështja e zhbllokimit të këtyre mjeteve pritet të zgjidhet javën tjetër përmes rishikimit të ligjit për buxhetin.
“U dakorduam që javën e ardhshme të vjen në Kuvend, plotësim ndryshimi i Ligjit për buxhetin që tu mundësohet komunave shfrytëzimi i të hyravë vetanake dhe kjo çështje të zhbllokohet. Duke marrë parasysh këtë dakordim ne si LDK do marrim pjesë në proceset në Kuvend”- deklaroi kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Ndërsa, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri deklaroi se do të vazhdojnë të mos marrin pjesë në votim. Ai tha se kjo parti për disa çështje ka pasë përvojë të keqe me Qeverinë e Kosovës.
“Si PDK nuk e përkrahim një mocion të tillë. Kemi pa në vazhdimësi kryenqsi nga Qeveria për zhbllokimin e të hyrave vetanake të komunave, në anën tjetër kemi përvojë të keqe me qeverinë kur ne kemi përkrah marrëveshjen e Bankës Botërore që përfshin demin e të refurave dhe një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Si PDK ne nuk do të marrim pjesë në votim deri në një vendim të ardhshëm”- tha ai.
Ndërsa, kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila ka bërë të ditur se ministri i Financave Hekuran Murati i informoi kryetarët e grupeve parlamentare se Qeveria e Kosovës sot ka azhurnuar agjendën legjislative, pjesë e së cilës është edhe rishikimi i buxhetit për vitin 2023 sipas kërkesës së Asociacionit të Komunave.
“U bë zotimi se në mbledhjen e radhës të Qeverisë e pastaj edhe në seancën e re do të sjellët për plotësim ndryshim gjegjësisht rishikimi i buxhetit për vitin 2023. Kjo me dakordim të përbashkët, të paktën me dy prej grupeve të opozitës, për votime të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe sipas vendimeve të tyre politike të projektligjeve që shqyrtohen në Kuvend”- deklaroi Kusari – Lila.
Pas këtyre deklarimeve, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca konstatoi që Kuvendi mund të hyjë sot në proces të shqyrtimit të pikave të pa përfunduara.
“Ky ishte dakordimi që arritëm, aq sa patëm mundësi me grupet parlamentare ashtu që të funksionalizojmë më mirë Kuvendin e Kosovës. Kështu që tash hyjmë në procesin e shqyrtimit të pikave nga seancat e kaluara”- ka thënë ai.
Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë bllokuar disa procese votimi së fundmi për shkak të një konflikti të hapur mes Qeverisë dhe komunave për çështjen e financimit vetanak të komunave.
Zhbllokimin e këtyre mjeteve e kanë kërkuar edhe kryetarët e komunave të Kosovës, të cilët të hënën kanë zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti.
Ndërsa, vetë ministri i Financave në seancën e 4 majit ka thënë se është duke u manipuluar me Ligjin për buxhetin.