Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zhbllokohen pronat në Prizren pas transmetimit të emisionit të KALLXO.com

Ende pa u mbushur një javë nga transmetimi i emisionit të titulluar ‘Sekuestrimet pa bazë’ nga KALLXO.com, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zhbllokuar pronat e një lagjeje të tërë në Prizren.

Emisioni i të premtes, më 27.11.2020, transmetoi pretendimet e Hajredin Gushit nga Prizreni, i cili ka pohuar se Prokuroria për një hetim që lidhet mes viteve 2010 deri në vitin 2013 ka futur në listën e konfiskimeve edhe pronat e babagjyshit të tij, të cilat u ishin shitur personave të tjerë 40 apo 50 vite me parë.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë të bërë në Gjykatën e Prishtinës të hënën, më 30 nëntor, tre ditë pas transmetimit të emisionit, ku kërkohet që këto prona të zhbllokohen.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në Gjykatë më datë 30.11.2020, ka ushtruar plotësim të kërkesës të datës 27.10.2020 për heqjen e urdhrit ndalues afatgjatë, ku në arsyetimin e kësaj kërkese për plotësim ka theksuar se në kërkesën e parë është përvjedhur një gabim teknik dhe nuk janë të përfshira në tabelë të gjitha pronat e ngrira të personit Hajredin Gushi, andaj përmes parashtresës së theksuar si më lartë të përfshihen për zhbllokim edhe pronat të cilat nuk janë evidentuar në kërkesën e datës 27.10.2020. Gjithashtu prokuroria përmes kësaj kërkese të ushtruar me datë 30.11.2020 ka njoftuar gjykatën se asnjë nga pronat e Hajredin Gushit nuk është e përfshirë në aktakuzën e datës 27.10.2020, pasi që kundër të dyshuarit Hajredin Gushit kanë pushuar hetimet në këtë çështje penale, më aktvendim për pushimin e hetimeve PPS67/19 të datës 27.10.2020”, thuhet në shkresën e Gjykatës së Prishtinës, Departamenti Special.

Gushi ishte hetuar pasi ai dhe disa persona të tjerë dyshoheshin për veprat penale – pastrim i parave, mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftim të terrorizmit, me saktë me veprën penale – organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Bllokimi i këtyre pronave u kishte shkaktuar probleme edhe fqinjve të Gushit, të cilët pronat i kishin blerë dekada më pare nga gjyshi i tij. Ata nuk kanë mundur t’i shisnin shtëpitë.

Kërkesën e prokurorit special Agron Bajrami për ndalim afatgjatë  e kishte aprovuar gjyqtari paraprak i Departamentit Special, Arben Hoti, e i cili edhe ka marrë vendim për zhbllokimin e këtyre pronave.

Emisionin e plotë rreth këtij rasti mund ta ndiqni në këtë link.