Zgjidhja e misterit të ‘Varrit të Kosovarit’, shpresë për zbardhjen e krimeve të luftës - VIDEO

“Varri i Kosovarit”, kështu ishte emëruar një varr në fshatin Domaj të Kukësit.

Më 12 maj të vitit 1999 banorët e fshatit të vogël të Shqipërisë kishin hasur buzë lumit Dri një trup të pa jetë.

Viktima ishte nxjerrë nga uji ndërsa nuk kishte asnjë mjet identifikimi.

 

I vrari në Gjakovë varroset në vendëlindje pas 21 vitesh.

21 vite pasi lumi Dri e nxorri trupin e tij të pajetë në afërsi të Kukësit Vegim Qerkezi është identifikuar dhe varrosur në qytetin e tij të lindjes.Gjatë luftës në Gjakovë u vranë qindra civil.Videoreportazh nga Behar Mustafa dhe Denis SllovinjaMusic: www.bensound.com

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 16 juillet 2020

Avdullah Totaj, ishte në mesin e personave që zbuluan trupin e djalit të panjohur.

“Në maj të 1999 është gjetur i kemi thirrë hetuesit e policisë, ata i morën disa shkrime dhe shkuan dhe ju thamë se çka me i bërë, na thanë se “boni ç`doni” dhe ne e kemi pas babën rahmet shpirti i pastë e ka marr dhe e ka varrosur”, theksoi Totaj, i cili ka treguar se edhe pas varrimit janë kujdesur që varri i martirit mos të humb.

Vite të tëra varri ishte njohur nga banorët e Domajt si “Varri i Kosovarit”, ndërsa askush nuk ishte interesuar për të zbuluar se kujt i përkiste trupi i të riut.

Kosova ende ka mbi 1000 të zhdukur nga lufta, ndërsa deri në vitin 2016-të përgjegjës për të urdhëruar zhvarrime dhe identifikim të trupave të pajetë ishin misionet e UNMIK-ut dhe EULEX-it.

Për “Varrin e Kosovarit” ishin shkruar dy faqe letra në Prokurorinë Speciale, mirëpo askush nuk kishte marrë mundin që për 17 vite të urdhëronte zhvarrimin dhe identifikimin e viktimës.

Në fund të viti 2016-të dosjet e EULEX-it nisën të transferoheshin tek prokurorët vendorë dhe bashkë me të edhe informacioni për varrin në Domaj të Kukësit.

Prokurorja Drita Hajdari, kishte urdhëruar që misteri rreth varrit të zbardhet duke urdhëruar zhvarrimin dhe sjelljen e trupit në Kosovë për identifikim.

Një ekip nga Prokuroria dhe Mjekësia Ligjore kishin udhëtuar për në Kukës për të kryer zhvarrimin.

“Brenda disa muajve unë personalisht kam shkuar në Kukës në vendin e ngjarjes ku fshatarët e kanë varrosur dhe e kanë ruajtur varrin, ata kanë bërë një mrekulli ishte fascinonte qysh janë kujdesur madje në një letër të cigares kanë shënuar se çka kishte viktima të veshur dhe atë letër e kanë futur në një shishë që edhe në këtë mënyrë të sigurojnë provat për vërtetimin e identitetit të tij”, kujton prokurorja Hajdari.

Trupi ishte sjellë në Kosovë ndërsa vetëm pas tri vitesh me analiza të thella të ADN-së Mjekësia Ligjore ka arritur të zbuloj identitetin e personit të vrarë.

Rezultatet tregonin se viktima ishte Vegim Qerkezi, një i ri nga Gjakova, i cili ishte kidnapuar nga forcat Serbe në mars të vitit 1999.

Mungesa është e madhe, ne kemi pritur tepër këtë ditë tani e 20 e sa vite, tash jemi krenar që e dimë ku është edhe të paktën një vizitë mundemi me ardhë me ja bë, ose me qajt një hall, një vizitë, një lule me ja pru, po mungesa është e madhe si për ne si për familjen”, tha Briland Bejdoni, shoku i të vrarit.

Dhjetëra qytetarë nga Gjakova figurojnë si të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë ndërsa në mbarë vendin figurojnë rreth 1600 persona të zhdukur.

Jeta në pritje për familjarët dhe miqtë është një përjetim tmerri në vitet e pasluftës

“Ne që 21 vite kemi ndenjur me një shpresë që një ditë do të del, e kemi shumë, shumë vështirë edhe tash po e ndjejmë një lehtësi që e kemi, që mund të vijmë ta bëjmë ka një vizitë, e ndjejmë vetën më lehtë, por neve na mungon”, rrëfen Luaras Rudi, shok i fëmijërisë i Vegim Qerkezit.

Nga lufta e fundit në Kosovë mbetën të vrarë mbi 12 mijë civil ndërsa shumë pak prej të dyshuarve për krimet e luftës kanë përfunduar në burg. Për vrasjen e Qerkezit Prokuroria Speciale ka nisur një hetim penal ndërsa rezultatet pritet të arrihen në muajt në vijim.