
Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.
Zgjidhet Zyrtari i ri Kryesor i Financave dhe Thesarit në Telekom
Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës sot me vendim unanim ka zgjedhur Feim Kelmendin, në pozitën e Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit në Telekomin e Kosovës.
Sipas njoftimit, më 18 janar të këtij viti Komisioni Vlerësues në bashkëpunim me Partnerin zbatues për monitorim, për pozitën e Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit, në mesin e pesë aplikacioneve të pranuara, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve ka përzgjedhur në listën e ngushtë për intervistim tre kandidatë.
“Me datën 09.02.2023, Komisioni Vlerësues në bashkëpunim me Partnerin zbatues për monitorim të procesit të përzgjedhjes ka intervistuar kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë për pozitën e Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit të Telekomit të Kosovës Sh.A” – thuhet në njoftimin e Telekomit.
Më tej, në komunikatë bëhet e ditur se Feim Kelmendi është vlerësuar nga Komisioni Vlerësues me më së shumti pikë.
Bordi i Drejtorëve të Telekomit thotë që i gjithë procesi i rekrutimit për pozitën e Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit ka qenë transparent, i rregullt dhe në bazë të Ligjit, Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative.