Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zgjidhen kryetarja dhe nënkryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë në mbledhjen e sotme ka zgjedhur për kryetare Hasnija Ilazin dhe nënkryetare Cassie Barnhardt.

Anëtarja e KShC-së, e cila u vetënominua Hasnija Ilazi, mori 5 vota të anëtarëve të këtij bordi, derisa kundërkandidat e pati anëtarin, Dukagjin Zeka.

Zeka, i cili u propozua nga anëtarja Rozafa Koliqi mori 4 vota.

Për Hasnija Ilazin votuan Seb Bytyçi, Gëzim Tosuni, Hasnija Ilazi, Alison Felce dhe Cassie L. Bernhardt, kurse për Dukagjin Zekën votuan Rozafa Koliqi, Krenare Nuçi Pireva, Werner J. Stueber dhe Dukagjin Zeka.

Kurse, për nënkryetaren e KShC-së, e cila po ashtu u propozua nga Rozafa Koliqi, Cassie Barnhardt, pati pajtueshmëri i gjithë bordi. Ajo mori 9 vota të anëtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Votimi i kryetares së bordit u zhvillua me diskutime nga ana e anëtarëve, të cilët pas propozimit të parë nga ana e Rozafa Koliqit për kryetar Dukagjin Zeka, anëtari Seb Bytyçi kërkoi që këto mandate të zhvillohen me rotacione.

Por një gjë e tillë edhe pse u mbështet nga disa anëtarë të bordit nuk u miratua, derisa Bytyçi kërkoi që të jetë edhe një kandidat për kryetar të KShC-së.

Pas kësaj, anëtarja Hasnija Ilazi u vetënominua dhe kështu i hapi rrugë votimit për kryetar dhe nënkryetar të bordit të Këshillit Shtetëror të Cilëisë.

Kjo mbledhje e Këshillit Shtetëror të Cilësisë u drejtua nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila e drejtoi bazuar në rregulloren e KShC-së, Ligjin për Arsimin e Lartë dhe udhëzimin administrativ, sipas të cilit ministres së Arsimit i takon të marrë pjesë në mbledhjen e parë konstituive deri në momentin kur zgjidhet kryetari i Këshillit.

Kjo është mbledhja e dytë e organizuar e bordit të KShC-së, pas miratimit në Kuvendin e Kosovës, e cila është monitoruar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN).

Këshilli Shtetëror i Cilësisë është organ politikëbërës dhe vendimmarrës i Agjencisë së Akreditimit, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

KShC merr vendim për akreditim të institucioneve dhe programe të tyre me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.