Pamje nga mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Zgjidhen kryetarët e Gjykatës në Pejë dhe Gjakovë

Armend Berisha nga sot ka marrë drejtimin e Gjykatës së Pejës,ndërsa Nikollë Komoni do të drejtojë Gjykatën e Gjakovës.

Këta dy u zgjedhën sot me shumicë votave në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Tutje, në këtë takim është aprovuar plotësim ndryshimi i vendimit të KGJK-së, të 23 qershorit për miratimin e listës së Paneleve Hetimore me mandat 3 vjeçar.

Anëtare e Komisionit për shqyrtimin e Ankesave u zgjedh gjyqtarja Diellza Hoxha.

Sipas njoftimit, anëtarët e këshillit, aprovuan kërkesën e Kryetarit të Gjykatës në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, lidhur me transferimin e një gjyqtari në Gjykatën e Apelit, të cilit paraprakisht i lejohet përfundimi i një lënde penale.

Në mbledhje po ashtu u themeluan anëtarët e Komisionit për përzgjedhjen e gjyqtarëve në Departamentin Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe në kuadër të Gjykatës e Apelit.

Mes tjerash, u diskutua edhe situata e gjyqësorit dhe përshtatja e punës së gjykatave në gjendje të pandemisë me ç’rast Kryesuesi Çoçaj u bën përsëri thirrje të gjitha gjykatave, që organizimin e punës ta bëjnë në përputhje me rekomandimet e IKSHP-së për masat kundër virusit COVID-19, vendimit të Këshillit, Planit emergjent për menaxhimin e krizës, vendimit të Qeverisë si dhe Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit.