Zgjerohet harta e të prekurve me coronavirus në Kosovë

Para pak minutave Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se tre raste të reja janë konfirmuar me coronavirus në Kosovë.

Tani hartës me të prekur me këtë virus i është shtuar edhe Hajvalia një lagje në Prishtinë.

Sipas njoftimit të ISHKP-së rastet e reja janë raste kontakti.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, një rast me vendbanim nga Suhareka, një  rast me vendbanim nga Hajvalia-Prishtinë, një rast me vendbanim nga Leshak- Leposaviq”, thuhet në njoftim të IKSHP-së.

Numri i të prekurve në total është 227.

Sipas njoftimit, sot , në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar  gjithsej 117 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2,  gjithsej tre prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Gjithashtu në njoftim thuhet edhe se sot është shëruar një pacient ndërsa një tjetër ka vdekur si pasojë e coronavirusit.

Numri i të shëruarve deri më sot është 38 ndërsa numri i vdiktimave është rritur në 7.

Sipas njoftimit të IKSHP-së personi që ka vdekur ka pasur sëmundje të tjera pasuese dhe nuk ka arritur të mbijetoj.

Nga data 08 shkurt  deri më 09 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.687 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej dyqind e njëzet e shtatë (227) raste me 7 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Nga data 13 mars 2020 kur janë konfirmuar dy rastet e para, deri me 09 prill 2020 gjithsej dyqind e njëzet e shtatë (227) raste pozitive të konfirmuara për virusin SARS-CoV-2.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.028 kontakte të rasteve.

Nga data 01.02.2020 deri me 09.04.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 26.844 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.070 udhëtarë, Merdare 6.690, Vërmicë 7.798, Jarinje 2.286, Dheu i Bardhë 1.281, Hani i Elezit 5.138, Kullë 1.662, Qafë Morinë 47, Bërnjak 669, Qafë Prush 35, Muçibabë 167 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 09 prill 2020 sipas Ëorldometers, janë raportuar gjithsej 1.587.709 raste të COVID-19 dhe 94.888 raste të vdekjes.