Rumania, ilustrim :Pixabay
Zgjedhjet rumune u ndikuan nga ndërhyrja dhe sulmet kibernetike ruse
Autoritetet në Rumani kanë shpalosur detaje të asaj që e vlerësojnë përpjekje e madhe për të ndërhyrë në Zgjedhjet Presidenciale të vendit, me përdorimin e platformës së mediave sociale TikTok dhe me një seri sulmesh kibernetike – ka raportuar BBC.
Shërbimi i Fshehtë i Brendshëm i Rumanisë njofton se ka shenja se kjo përpjekje ishte “koordinuar nga një aktor i sponsorizuar nga Shteti”.
Calin Georgescu, skeptik i së djathtës ekstreme anti-NATO, i cili ka lavdëruar më parë Vladimir Putinin, ishte pothuajse i panjohur në Rumani – derisa dy javë më parë fitoi raundin e parë të Zgjedhjeve Presidenciale.
Tani Inteligjenca Rumune pretendon se ngritja e papritur e popullaritetit të tij është rezultat i një fushate “shumë të organizuar” dhe “guerile” në mediat sociale – duke ndarë mesazhe të njëjta e duke përdorur influencues.
Një vlerësim i veçantë i Inteligjencës spikat se Rumania është identifikuar si “shtet armik” nga Moska e si objektiv parësor për çfarë i quan “veprime hibride agresive”.
Informacioni politikisht shpërthyes – i cili ka ardhur vetëm pak ditë para raundit të dytë të votimit – buron nga dokumentet e deklasifikuara, të publikuara nga presidenti në largim, Klaus Iohannis.
Dokumentet tregojnë se si përmbajtjet me pagesë që mbështesin Georgescun u promovuan në TikTok, pa u shënuar si fushatë zgjedhore – në kundërshtim me rregullat e vetë platformës dhe Ligjin Zgjedhor rumun. Përmbajtja e kandidatëve të tjerë iu nënshtrua një kontrolli më të ashpër.
Georgescu ka thënë gjithmonë se shpenzoi “zero” para për promovimin e Zgjedhjeve – duke mohuar se kishte bërë fushatë.
Por, Dokumentet e Inteligjencës identifikojnë një llogari TikToku, për të cilën thonë se ka bërë pagesa prej 381 mijë dollarësh vetëm për një muaj nga 24 tetori – për përdoruesit që promovonin Georgescun.
Georgescu pretendon se publikimi i Dokumenteve është përpjekje e koordinuar, për të bllokuar kandidaturën e tij.
“Unë mendoj se është hera e parë në historinë e botës, kur një shtet po organizon një aksion kundër një kandidati – për ta ndaluar atë të kandidojë.” – ka deklaruar ai në një intervistë televizive të mërkurën.
Ai, gjithashtu, mohoi se njihte ndonjë nga ndikuesit ose financuesit e përmendur në Raporte.
Dokumentet e publikuara, në këtë lëvizje shumë të pazakontë, përfshinin të gjitha dokumentet e hartuara për një takim të Këshillit të Sigurisë – pas raundit të parë të Zgjedhjeve Presidenciale.
Dokumentet, gjithashtu, zbulojnë se të dhënat e qasjes për faqet elektorale në Internet u vodhën nga përdoruesit legjitimë dhe u publikuan në Internet “në platformat e krimit kibernetik me origjinë nga Rusia”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com