Zgjedhjet për kryetar të PDK-së, kush janë pesë më të votuarit e partisë në zgjedhjet e fundit?

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sot ka njoftuar se më 3 korrik do të mbajë konventën për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

PDK-ja që nga nëntori i vitit të kaluar është me ushtrues detyre të kryetarit pas dorëheqjes së Kadri Veselit nga kjo pozitë, pasi iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, në të cilat PDK-ja kandidoi për kryeministër me Enver Hoxhajn, doli e dyta, me 17% të votave.

Me këtë përqindje të votave PDK-ja arriti të sigurojë 19 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Në këto zgjedhje, pesë më të votuarit e PDK-së janë: Enver Hoxhaj, Uran Ismaili, Bedri Hamza, Mergim Lushtaku dhe Memli Krasniqi.

Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Enver Hoxhaj, kishte marrë 100 mijë e 468 vota.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kishte marrë 26 mijë e 718.

Bedri Hamza kishte marrë 23 mijë e 976 vota. Mergim Lushtaku kishte siguruar 16 mijë e 295 vota, ndërsa Memli Krasniqi e mbyll top-pesëshen më të votuar të PDK-së, me 15 mijë e 912 vota.

 

PDK-ja zgjedh kryetarin e ri më 3 korrik