Zgjedhjet në Zvicër: Të gjelbrit shënojnë rritje, rënie e djathtistëve

Partitë e gjelbra kanë arritur një fitore historike karshi partive djathtiste dhe majtiste në zgjedhjet parlamentare të Zvicrës të cilat u mbajtën të dielën.

Rezultatet përfundimtare tregojnë se Partia e Gjelbër e krahut të majtë – Grüne , ka fituar 13% të votave për parlamentin zvicran – me një rritje prej gati 6% krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2015.

Edhe partia tjetër e gjelbër – GLP, e po ashtu pa rritjen e saj të votave në 7.9% krahasuar me 4.6% gjatë zgjedhjeve të kaluara.

Ky rezultat i jep mundësinë partive të gjelbra ta tejkalojnë madje edhe Partinë Kristian-Demokrate – CVP, e cila ka fituar 12 % të votave apo një rritje prej vetëm 0.4%

Aktualisht, ekzekutivi prej shtatë anëtarësh është i përbërë nga anëtarët e katër partive kryesore, por jo edhe nga partitë e Gjelbra.

Populistët e krahut të djathtë kanë pësuar humbje në këto zgjedhje.

Partia Popullore Zvicrane – SVP, ka fituar 26.3 për qind të votave në këto zgjedhje.

Për herë të parë në disa dekada, një nga katër partitë qeverisëse është tejkaluar nga një parti opozitare.

Sikur kjo të mos mjaftonte për SVP-në, edhe dy parti tjera po ashtu kanë pësuar humbje.

Socialdemokratët – SP, kanë humbur 2.4 % të votave duke fituar vetëm 16.5 % ndërsa Partia e Lirisë – FDP, ka marrë 15.2% të votave duke i humbur 1.2 % të votave krahasuar më zgjedhjet e fundit parlamentare në Zvicër në vitin 2015.

Skena politike në Zvicër nuk mund të quhet si e zakonshme dhe përbërja e qeverisë ka qenë e pandryshueshme përgjatë gjashtë dekadave të fundit me partitë Partinë Popullore Zvicrane – SVP, Social-demokratët – SP, Partinë e Lirisë – FDP dhe Kristian-Demokratët – CVP, duke i ndarë shtatë ulëset ministrore në qeverinë Zvicrane.

Partia Popullore e krahut të djathtë – SVP, mbetet akoma grupi më i madh në parlament para Social Demokratëve të krahut të majtë.

Në përgjithësi, partitë e majta dhe ato të qendrës kanë fituar terren, duke krijuar spekulime për një riorganizim të një qeverie shumëpartiake.

Të Gjelbrit kanë marrë 28 vende në parlamentin zvicran, më shumë sesa dyfishimin e përfaqësimit të tyre duke arritur të dalin para kristian-demokratëve dhe janë prapa Partisë Liberale Radikale me vetëm një ulëse.

Në këtë mënyrë, partitë e gjelbra do të zënë një të pestën e ulëseve në parlamentin zvicran, e cila ka 200 ulëse gjithsej dhe vështirë se kjo parti do të anashkalohet gjatë formimit të qeverisë së re.

Numri i grave në parlament është rritur në 85 ulëse sipas rezultateve zyrtare. Kjo është 10% më shumë sesa në përbërjen aktuale parlamentare.

Sidoqoftë, asnjë prej më shumë se 70 kandidatëve me status të mërgimtarit në Zvicër nuk ia ka dalë që të fitojë një ulëse në parlamentin zvicran.

Pjesëmarrja ishte 45.1%, krahasuar me 48% në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2015.