Zgjedhjet në veri, Kurti takon kandidaten për kryetare të Komunës së Zveçanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në zyrën e tij kandidaten për kryetare të Komunës së Zveçanit, Sladjana Pantiq.

Sipas njoftimit për media, Kurti ka deklaruar se në zgjedhjet e prillit të këtij viti në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, qytetarët kanë mundësinë të krijojnë zë të fuqishëm përmes përfaqësuesve të zgjedhur e të jenë pjesë e vendimmarrjes.

“Zgjedhjet e lira dhe të drejta, e pluralizmi politik janë parakusht i demokracisë. Në zgjedhjet e prillit të këtij viti në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, qytetarët kanë mundësinë të krijojnë zë të fuqishëm përmes përfaqësuesve të zgjedhur e të jenë pjesë e vendimmarrjes. Kështu qytetarët tregojnë fuqinë e tyre brenda një shteti demokratik si Kosova”- thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas Kurtit, pjesëmarrja e jo bojkoti i kontribuon edhe zhvillimit të demokracisë edhe adresimit të nevojave të komunitetit.​

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale që do të mbahen për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës, më 23 prill.

Për dallim nga hera e kaluar këto shtete patën bërë thirrje për shtyrje zgjedhjesh, mirëpo tani ambasadat e QUINT-it kanë pranuar se zgjedhjet do të mbahen.

Zgjedhjet janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Lista Serbe ka rikonfirmuar më 20 mars se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do ta mbajë këtë qëndrim derisa t’i përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar.

Dorëheqjet e tyre, si dhe dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë qenë shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Prej vitit 2013, kur është formuar kjo parti, ajo ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.

Mirëpo, misioni vëzhgues i BE-së rregullisht përmend nëpër raporte se, Lista Serbe e ka “monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës”.