Zgjedhjet në Turqi: Rivali i presidentit Erdogan, Kilicdaroglu, premton paqe dhe demokraci

Kandidati opozitar turk, Kemal Kilicdaroglu, i mbështetur nga një aleancë opozitare prej gjashtë partish, thotë se nëse fiton do ta sjellë lirinë dhe demokracinë në Turqi, me çdo kusht.

“Të rinjtë duan demokracinë”, thotë ai për BBC. “Ata nuk duan që policia të vijë në dyert e tyre herët në mëngjes vetëm sepse kanë postuar në Twitter”.

Kilicdaroglu është rivali kryesor i liderit islamik në zgjedhjet e 14 majit dhe ka një epërsi të ngushtë në sondazhet e opinionit. Kjo garë e ngushtë pritet të shkojë në raundin e dytë dy javë më vonë.

Aktualisht, turqit mund të shkojnë në burg për “fyerje të presidentit”. Shumë prej tyre kanë shkuar.

“Unë po u them të rinjve se mund të më kritikojnë lirisht. Do të sigurohem që ata ta kenë këtë të drejtë”, thotë 74-vjeçari, i cili e udhëheqë Partinë Republikane Popullore (CHP) kryesore opozitare.

Disa nga mbështetësit e Kilicdaroglu kanë frikë për sigurinë e tij, por ai thotë se kjo vjen me territorin.

“Të jesh në politikë në Turqi do të thotë të zgjedhësh një jetë me rreziqe. Unë do të ec në rrugën time çfarëdo që të bëjë Erdogan dhe aleatët e tij. Ata nuk mund të më largojnë. Ata nuk mund të më trembin. I kam bërë një premtim këtij kombi”.

Presidenti Erdogan, 69 vjeç, është tallur me rivalin e tij në të kaluarën duke thënë se ai “nuk mund ta ruajë as një tufë delesh”. 

Duke u paraqitur për një tubim në qytetin port të Izmirit, një bastion i opozitës, kandidati opozitar përshëndetet nga një lumë mbështetësish teksa e valëvisin flamurin turk.

Aty dëgjohen thirrjet “Kilicdaroglu është shpresa e popullit”. Shumë në turmë janë të rinj. Pesë milionë turq do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje.

Në moshën 15-vjeçare, Oguz është shumë i ri për votiuar, mirëpo nuk mund të qëndronte larg tubimit. “Ai është një person i mirë dhe e sheh pozitivisht të ardhmen. Nëse ai bëhet president ekonomia jonë do të ngrihet dhe ne do të ngrihemi”.

Zoti Kilicdaroglu më tha përpara tubimit se do ta riorientojë Turqinë dhe do t’i japë përparësi marrëdhënieve me Perëndimin, jo me Kremlinin.

“Duam të bëhemi pjesë e botës së qytetëruar”, thotë ai. “Ne duam media të lirë dhe pavarësi të plotë gjyqësore. Erdogan nuk mendon kështu. Ai dëshiron të jetë më autoritar. Dallimi midis nesh dhe Erdoganit është dallimi midis të zezës dhe të bardhës”.

Por a do të largohet në heshtje Rexhep Tajip Erdogan nëse mposhtet pas 20 vitesh në pushtet, fillimisht si kryeministër dhe tani president i plotfuqishëm?

“Ne do ta penzionojmë dhe do ta dërgojmë në shtëpinë e tij”, thotë zoti Kilicdaroglu. “Ai do të penzionohet në heshtje. Askush nuk duhet të ketë shqetësime për këtë”.

Të tjerët nuk janë aq të sigurt. Ka të dhëna se lideri turk mund të përgatitet ta kundërshtojë rezultatin nëse del humbës. Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu ka paralajmëruar se votimi do të jetë “një përpjekje për grushtshteti nga Perëndimi”.

Zoti Kilicdaroglu ka thënë se opozita e kombinuar do të jetë vigjilente, duke mos i besuar as presidentit, “as Këshillit të tij të Lartë Zgjedhor dhe as gjyqtarëve të tij”.

“Duke pasur më shumë se një vëzhgues në të gjitha qendrat e votimit, ne duam të sigurojmë që votat të hidhen në mënyrë korrekte, të sigurt dhe numërimi të bëhet siç duhet. Ne kemi marrë masa paraprake për ta arritur këtë, duke punuar shumë për një vit e gjysmë”.

Në shumë mënyra ai është anti-Erdogan. Ai ka regjistruar video të fushatës në tryezën e tij modeste të kuzhinës, peshqirët e çajit të varur me shumë mjeshtri në sfond.

Duke treguar se ka përvojë dhe ka dijeni për tema të caktuara, rivali i tij u shfaq në një video duke paralajmëruar se çmimet do të vazhdojnë të rriten nëse Erdogan do të mbetet edhe më tutje në pushtet. “Tani një kilogram qepë kuhstojnë 30 lira”, tha ai. “Nëse mbetet ende në pushtet do të kushtojnë 100 lira”.

Politikat ekonomike të presidentit fajësohen gjerësisht për inflacionin e shfrenuar. Kushdo që fiton do të trashëgojë një ekonomi të thyer dhe një komb të ndarë – nuk ka asnjë ilaç për asnjërin.

Në skenë, i rrethuar nga liderë të tjerë të opozitës, Kilicdaroglu bën emoji-n e tij të zemrës për turmat. “Gjithçka do të jetë e bukur”, thotë ai. “Besoje.”  

Mirëpo tubimi i tij në bregdetin e Izmirit u bë vetëm një ditë pasi presidenti pati tubimin e tij të madh, i cili ishte i dalluar.

Shumë konservatorë fetarë do t’i qëndrojnë prapa atij. Ai flet gjuhën e tyre. Dhe e ka mbështetur mbështetjen e tij me shpenzimet parazgjedhore përfshirë edhe rritjen e pagave.

Ndërkohë që dita e votimit po afron, ka një lloj tensioni që po shpërfaqet.

Shumë biseda janë karakterizohen me biseda rreth zgjedhjeve – dhe frikë – dhe Turqia përballet me një zgjedhje të ashpër të dy vizioneve konkurruese.

Një sondazh i ri sugjeron se Kilicdaroglu do ta fitojë presidencën, porse aleanca e presidentit aktual është duke udhëhequr në garën për parlament.

Me zgjedhjet që mund ta prodhojnë një rezultat të ngushtë, askush nuk mund të jetë i sigurt nëse javët e ardhshme do të jenë të qeta./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala