Zgjedhjet në Turqi: Çfarë pritet nga Erdogani në një mandat tjetër pesëvjeçar?

Rexhep Tajip Erdogan mund t’u ketë bërë serenadë mbështetësve të tij pas fitores së tij – megjithatë ai është pothuajse i përsosur kur vjen puna tek zgjedhjet.

Erdogan e lexoi elektoratin më mirë se anketuesit dhe analistët, të cilët sugjeruan se mund të mposhtej nga opozita. Epo, jo edhe këtë herë.

Kundërshtari i tij – Kemal Kilicdaroglu – ishte vetëm katër ëërqind prapa tij. Pa dyshim që presidenti Erdogan do të reflektojë për këtë rezultat ndërkohë që nis mandatin e tij të tretë në detyrë si president.

Ky shtet strategjik i NATO-s ka zgjedhur rrugën e tij, ku shumica e votuesve kanë zgjedhur një autokrat të sprovuar dhe jo një demokrat të paprovuar në formën e Kilicdaroglu.

Udhëheqësi opozitar e drejtoi fushatën e tij si zotëriu ‘Nice Guy’, duke premtuar fillimisht një pranverë të re për Turqinë. Më vonë u kthye djathtas, duke u zotuar se do t’i dërgonte të gjithë refugjatët në shtëpi. Kjo i dha atij një mbështetje shtesë nga nacionalistët, por jo mbështetje të mjaftueshme.

Udhëheqësi i Turqisë, Erdogan ka një lidhje me ndjekësit e tij që daton 20 vjet më parë. Shumë janë konservatorë fetarë si ai. Ata kanë ngelur bashkë me Erdoganin përmes hiperinflacionit, duke i dhënë atij edhe pesë vite të tjera.

Ndërkohë që u shpall rezultati i balotazhit, rrugët e kryeqytetit Ankarasë dukeshin si një kaleidoskop i flamujve turq, me fishkëllima të borive të veturave dhe me brohoritje nga mbështetësit e Erdoganit. Një numër i madh i mbështetësve u dyndën në pallatin e tij presidencial të ndërtuar me porosi me mbi 1000 dhoma. Rivali i tij kishte premtuar se këtë pallat do ta vinte në përdorim publik.

“Jemi të bekuar  nga fakti që presidenti ynë po na udhëheq përsëri,” thotë Hatice Duran, 50 vjeçare. “Nuk ka ndjenjë tjetër më të madhe se kjo. Le ta dëgjojë bota këtë. Ai është lideri që e sfidoi të gjithë botën dhe i dha një mësim gjithë botës.”

Kjo është një pjesë kyçe e thirrjes së tij këtu: Erdogan është një udhëheqës i fortë, një Sulltan i ditëve të mëvonshme që nuk përkulet.

Mesazhi i zgjedhjeve është se shumë këtu preferojnë një lider të ashpër sesa një djalë të mirë.

Tani Erdogan ka marrë krahët dhe është trimëruar rishtazi. Opozita turke ëshë mposhtur përsëri dhe Kremlini po feston.

Ky është rezultati që dëshironte residenti Vladimir Putin – nuk është çudi që ai ishte një nga të parët që e uroi liderin turk. Putin bëri atë që mundi ta bënte në favor të Erdoganit, përkrahjen ndaj tij përfshirë shtyrjen e një pagese prej 600 milionë dollarësh për gazin natyror rus.

Erdogan iu fut garës elektorale me shumë përparësi si dhe me kontrollin e 90% të mediave këtu.

Në fjalimin e tij të fitores, ai këmbënguli se “vetëm Turqia ishte fituese” – por ai nuk humbi kohë duke sulmuar opozitën dhe komunitetin LGBTQ.

Të dyja tani mund të jenë në shënjestër edhe më shumë, dhe të drejtat e njeriut dhe liria e fjalës mund të gërryhen edhe më tej në vitet në vijim. Në Turqi ka pak kontrolle dhe balancime dhe lideri më jetëgjatë i Turqisë nuk njihet për përmbajtjen e tij.

Ata që donin ndryshim në Turqi – pothuajse 48% e votuesve – do të jenë të zhgënjyer dhe ndoshta të frikësuar.

Shumë parashikojnë se do të ketë më shumë fe dhe më pak liri në jetën publike të kësaj republike laike, e cila do të shënojë njëqindvjetorin e saj në muajin tetor.

Turqia tani është një komb i ndarë me një ekonomi të thyer. Kritikët thonë se presidenti nuk ka zgjidhje për asnjërën./BBC