Zgjedhjet në Serbi, dy ambasadorë vizituan pikën kufitare në Merdare

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë të ditur se bashkë me ambasadoren franceze Marie- Christine Butel, kanë vizituar pikën kufitare në Merdare, pasi dhjetëra qytetarë serbë nga Kosova u nisën për të votuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi.

Rohde në rrjetin social “Twitter” ka shkruar se kanë vërejtur bashkëpunim të mirë mes dy palëve dhe se është shtuar numri i stafit në këtë pikë për qarkullim më të shpejtë.

“Së bashku me Ambasadoren e Francës në Kosovë vizituam pikën kufitare në Merdare. Ne atje pamë një bashkëpunim. 4 korsi funksionale në të dyja anët. Po ashtu Kosova kishte vepruar siç kishte premtuar duke rritur personelin në pikat përkatëse kufitare duke mundësuar që në mënyrë të qetë votuesit të shkojnë të votojnë atje”, ka shkruar ambasadori gjerman.

KALLXO.com raportoi sot se dhjetëra qytetarë serbë janë nisur drejtë Rashkës për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe presindenciale të Serbisë te cilët po mbahen gjatë ditës se sotme.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka deklaruar se situata është e qetë dhe stabile, ndërsa shtojnë se në disa kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, janë krijuar kolona dhe pritje.

Sipas forcave të rendit, pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare, si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm me një korsi si dhe aplikimit të procedurave të stikersave.