Zgjedhjet në Podujevë, shtrohen rrugët brenda oborreve

Në komunën e Podujevës ka filluar fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 15 mars. E bashkë me të kanë nis edhe disa punime në fshatin Sallabajë.

Në fillim të kësaj jave atje janë parë kamionë e ekskavatorë duke shtruar disa rrugica me zhavorr.

Disa banorë të fshatit Sallobajë kanë dërguar fotografi ku shihet se zhvari është shtruar edhe nëpër oborre të shtëpive.

“Kanë qenë tre veta, deputetë a asamblist qysh po u thonë, më thanë apo na jep (votën), iu thash, kurrë vallahin, si në hajgare më thanë, iu thash që nuk ua dha votën”, ka thënë njëri nga banorët e fshatit Sallabjë i cili ka dashur të mbetet anonim.

 

Komuna e Podujevës po mban zgjedhjet e jashtëzakonshme pasi kryetari i saj, Agim Veliu la postin për tu bërë ministër në Qeverinë e re të Kosovës.

Në garë për të parin e kësaj komune janë tre kandidatë, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që është edhe nënkryetar i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputet në Kuvendin e Kosovës nga kjo parti dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Enver Bunjaku, i cili ka thënë se është përgjegjës i fshatit Sallabajë dhe që është me LDK-bë, tha se shtrimi i rrugicave me zhavorr nuk po bëhet për të përfituar vota në këtë kohë fushate.

Ai thotë se po shfrytëzohet koha e mirë për t’i nxjerr banorët nga balta.

“Nuk është e vërtetë, se ata njerëz janë të PDK-së, ne nuk mujmë me i nda njerëz sipas partive, nuk ka të bëj me këto sene”, ka thënë Bunjaku në një bisdë të shkurtër.

“Projekti është goxha i vjetër, ata i kanë bë kërkesat për asfalt. Por erdh mundësia e mirë, koha e mirë e nashta sivjet ua shtrojmë edhe me asfalt… Unë jam si udhëheqës i fshatit, mundohem me i rregullu do rrugë, unë jam me LDK-në prej që është themelua, çfarë kanë njerëzit dyshime unë nuk merrem”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Tutje, Bunjaku tha se krejt kjo ka ardhur me urdhër nga qeverisja lokale.

“Koha është e mirë, pse mos me shfrytëzu, zoti na ka qu këtë kohë të mirë, janë shpifje ato që LDK i ka qu këto me i shtru rrugët. Ne i shtrojmë këto rrugë i shtrojmë ku të na thotë drejtori për Shërbime Publike”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, në një përgjigje me shkrim, Komuna e Podujevës ka thënë se Enver Bunjaku nuk është kryetar i fshatit Sallabajë.

Ndërkaq, zyra për medie e komunës e ka arsyetur këtë veprim me kërkesa të banorëve.

“Nga viti i kaluar Komuna e Podujevës ka një kontratë dy vjeçare me operatorin për trajtimin e rrugëve me zhavor. Jo vetëm në fshatin Sallabajë, por edhe në fshatrat e tjera  po trajtohen me zhavorr rrugët e rrugicat e pa asfaltuara. Kjo bëhet në bazë të kërkesave të qytetarëve dhe vlerësimit të mbikëqyrësit të projektit nga Komuna. (Personi në të cilin ju thirreni lidhur me rrugët në fshatin Sallabajë nuk është përfaqësues-kryetar i atij fshati)”, thuhet në përgjijen e Komunës së Podujevës.

Sipas kësaj komune, shtrimi i rrugëve nuk ka të bë me përcaktim partiak të banorëve por me rëndësi është krijimi i kushteve të mira për banorët e asaj ane.

“Në realizimin e projekteve, pra edhe në rastin e trajtimit të rrugëve me zhavor, për Komunën e Podujevës asnjëherë nuk ka rëndësi dhe nuk është ‘kriter’ orientimi politik i qytetarëve të​saj. Realizmi i projekteve të planifikuara dhe krijimi i kushteve më të mira për të gjithë qytetarët e saj është kriteri dhe priotiteti kryesor i administratës komunale në Podujevë”, thuhet tutje në përgjigje.

Sipas komunës, proejte të ngjashme janë duke u realuzar edhe në fshatra tjera, pavarësisht kohës së fushatës zgjedhore.

“Pavarësisht situatës në të cilën jemi tash (fushatën parazgjedhore), Komuna është e obliguar të realizojë projektet e planifikuara dhe t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve, që të mundësojë qarkullimin normal të tyre. Komuna aktualisht është duke realizuar edhe projekte të tjera, të planifikuara për këtë vit”, thuhet në fund të përgjigjes.

Komuna e Podujevës ka dërguar edhe dy fotografi të dy rrugëve në dy fshatra, Dobërdol dhe Letanc, për të cilat ka thënë, a duhet që edhe këtyre banorëve t’u trajtohen rrugët me zhavorr në kohë fushate.