Votimet për balotazhin 2017 - Foto: Atdhe Mulla

Zgjedhjet në Podujevë, kaq vota patën marr partitë politike në 2017-ën

Qytetarët e Podujevës do ta kenë mundësinë që të zgjedhin kryetarin e ri të komunës së tyre, me 15 mars. Për zgjedhjet  e jashtëzakonshme në këtë komunë, do të garojnë tri subjekte politike, Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, të cilat tashmë janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Podujeva pritet të zgjedh kryetarin e ri, pasi i deritanishmi Agim Veliu, i cili vjen nga radhët e LDK-së, është emëruar ministër  i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike me 3 shkurt.

Ndërkaq, në zgjedhjet e fundit lokale që janë mbajtur në vitin 2017, llapjanët patën votuar në dy raunde, pasi Podujeva kishte shkuar në balotazh, ku garuan LDK-ja dhe LVV-ja.

Ndërkaq, në raundin e parë, për kryetar të komunës patën garuar 6 kandidatë, nga këto subjekte politike: LDK, LVV, PDK, AAK, Fjala dhe Nisma Socialdemokrate, që atë kohë kishte emërtimin Nisma për Kosovën.

Sipas rezultateve të KQZ-së në këtë raund, LDK pati marr 18,872 vota apo 48,15%, LVV 11,671 vota apo 29,77%, PDK 7,120 vota apo 18,16%, AAK-ja 971 vota apo 2,48%, Partia Fjala 322 vota apo 0,82% dhe Nisma 242 vota apo 0,62%.

Burimi: KQZ

Ndërsa në raundin e dytë të zgjedhjeve, kandidati Agim Veliu kishte marr 20,027 vota apo 63,78%, kurse kandidati Ajet Potera nga LVV-ja kishte marr 11,373 vota apo 36,22%.

Burimi: KQZ

Në zgjedhjet e 15 marsit, LDK do të garojë me kandidatin Nexhmi Rudari, LVV-ja me Shpejtim Bulliqin dhe PDK-ja me Naim Fetahun.

Në anën tjetër, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka bërë të ditur për KALLXO.com se sipas listës preliminare numri i votuesve në Komunën e Podujevës është 86 mijë e 866 votues të regjistruar.

Ndërkohë, qytetarë të Podujevës për KALLXO.com kanë thënë se nga zgjedhjet e reja mes tjerash presin punësim për të rinjtë dhe luftim të korrupsionit.