Zgjedhjet në Podujevë, Agim Veliu ia nis fushatës për kandidatin e LDK-së

 

Agim Veliu, që tash është ministër i Brendshëm i Qeverisë Kurti, nuk do të jetë më kryetar i komunës që ai e udhëhoqi për disa mandate, Podujevës.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në këtë komunë, shkruan lajmi.net.

Ka thënë se LDK e ka ofruar kandidatin e saj më të mirë, Nexhmi Rudarin.

Madje ka thënë se s’ka asnjë dilemë që LDK do ta fitojë përsëri Podujevën./RTK

Postimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Veliut në Facebook:

Të dashur qytetarë llapjanë:

Komunikimin me ju po e filloj me ndjenjën më të thellë të mirënjohjes dhe falënderimit për besimin dhe mbështetjen e gjithsecilit prej jush gjatë gjithë rrugëtimit tim politik, i cili u përcoll me sfida të mëdha, por që me përkrahjen tuaj gjithmonë ia dolëm.

Kështu do të vazhdojmë edhe tash e tutje, edhe pse unë kam marrë një detyrë tjetër me vullnetin për t’i shërbyer interesit të vendit, por edhe për ta fuqizuar kontributin e Llapit në shtetndërtimin e Kosovës.

Të dashur miq,

Tashmë jemi në një situatë të re. Podujeva do të mbajë zgjedhje për kryetar të Komunës.

Ne, si degë e fuqishme dhe e organizuar mirë, ua kemi ofruar qytetarëve llapjanë kandidatin tonë më të mirë, anëtarin e Kryesisë se Degës për disa mandate dhe nënkryetarin aktual të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudarin.

Nexhi, krahas përgatitjes akademike ka një përvojë të jashtëzakonshme në pushtetin qendror e lokal dhe pa asnjë dyshim do të jetë kryetar i suksesshëm i Podujevës.

Kandidimi i tij erdhi pas diskutimeve konstruktive në struktura dhe me një votim unanim të kryesisë së LDK-së në Podujevë.

Kandidati ynë pa dilemë do të jetë Kryetari i ardhshëm i Podujevës. Prandaj, ftoj të gjithë veprimtarët e LDK-së, anëtarësinë dhe simpatizantët, që në këtë proces ta mbështesin LDK-në dhe kandidatin tonë për kryetar, duke e mbajtur të pamposhtur subjektin tonë politik në Llap.

Si gjithmonë do të jemi së bashku në këtë proces dhe ato që vijnë pas tij.

Na priftë e mbara!

Vazhdojmë!