Kryeministri britanik, Boris Johnson

Zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar, fitore dërrmuese e Konservatorëve

Më asgjë nuk e ndal BREXIT-in.

Sipas vlerësimeve të para, kryeministri britanik, Boris Johnson, ka fituar të enjten një shumicë dërrmuese të votave, të cilat i mundësojnë ta realizojë premtimin e tij për ta nxjerrë vendin e tij nga Bashkimi Europian më 31 janar, njofton AFP.

Sipas hulumtimit të realizuar pas mbylljes së vendvotimeve nga instituti Ipsos/MORI, Partia Konservatore ka fituar 368 ulëse nga 650 sa ka Parlamenti britanik. Në zgjedhjet e kaluara, më 2017, konservatorët kishin fituar 317 deputetë.

Ndërsa Laburistët e Jeremy Corbyn kanë pësuar një rënie të madhe, duke siguruar 191 ulëse (nga 262 sa kishin fituar në zgjedhjet e kaluara).

Ndonëse rezultatet ende nuk janë të plota, ato tregojnë për një fitore të madhe të Konservatorëve, e paparë që nga koha e Margaret Thatcher.

Kryeministri Johnson i kishte kërkuar këto zgjedhje, të tretat gjatë katër viteve të fundit, për ta nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar nga qorrsokaku lidhur me BREXIT-in, i cili po e ndanë thellësisht vendin që nga fitorja e “leave” me 52% të votave në referendumin e vitit 2016, raporton AFP.