Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, liderët e Kosovës krenarë me partitë shqiptare atje

Dje, në kushte pandemie, Maqedonia e Veriut ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Nga këto zgjedhje, koalicioni LSDM-së ka marrë më së shumti vota me 36.12%, pas saj VMRO-DPMNE 34.85%, BDI 11.3%, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 8.57%, e majta 4.17% dhe PDSH 1.51%.

Në bazë të këtyre rezultateve partitë shqiptare do të kenë një numër të madh ulësesh në Kuvend.

BDI-ja do të ketë 15 dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, por këto ndarje të mandatave mund të ndryshojnë deri në numërimin përfundimtar të votave.

Pas këtyre rezultateve, liderët e Kosovës kanë uruar partitë shqitare dhe janë ‘krenuar’ me pjesëmarrjen e tyre që do ta kenë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka shkruar në Facebook se këto zgjedhje janë sukses për shqiptarët e Maqedonisë

“Përgëzime për përmbylljen me sukses të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Presim që shpejt të punojmë me Qeverinë e re që do të formohet në Shkup, duke nisur nga një mbledhje e përbashkët për të shqyrtuar thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona. Urime shqiptarëve për numrin rekord të deputetëve në Kuvend”, ka shkruar ai.

Urim për shqiptarët ka dhënë edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ku ai në Facebook ka shkruar se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm drejt integrimit brenda vlerave euro- atlantike.

“Rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut tregojnë për një sukses historik të shqiptarëve. Është tregues i qartë se angazhimi politik dhe dalja masive në zgjedhje sjell rezultatin e merituar. Uroj Ali Ahmetin dhe BDI-në për suksesin e treguar në zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut. Besoj në një bashkim të fortë të spektrit politik shqiptar, për ta fuqizuar më tutje pozitën e shqiptarëve në shtetin e tyre”, ka shkruar Veseli.

Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka uruar partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut për rezultatet e arritura në zgjedhjet parlamentare.

Limaj ka shkruar në Facebook, se rezultatet e fundit tregojnë për një numër të konsiderueshëm të deputetëve shqiptarë të zgjedhur në legjislaturën e re.

“Të gjithë deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut iu uroj punë të mbarë dhe suksese në përfaqësimin sa më të denjë të interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, ka shkruar ai.

Në këto zgjedhje për herë të parë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, u krijua një koalicion parazgjedhormidis një partie maqedonase dhe një partie nga blloku shqiptar. LSDM dhe Lëvizja Besa garuan së bashku në këto zgjedhje.

Procesi zgjedhor u mbikëqyr nga 2,508 vëzhgues vendor dhe 98 të huaj

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut ishin paralajmëruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev, që në dhjetor të vitit 2019, pasi ky vend arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut.