Foto: REL

Zgjedhjet në Francë, deri në ora 17 :00 votuan mbi 63 për qind e votuesve

Pjesëmarrja në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë në ora 17:00 ishte 63,23 për qind.

Kjo përqindje është për mbi 2 për qind më pak (65.30%) në raport me zgjedhjet e vitit 2017, kur ishin përballur sikur edhe sot Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen.

Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme të Francës, përcjell “Le Figaro“.

Në Francë po mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Në garë janë presidenti aktual, Emmanuel Macron, dhe kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Sondazhet e ditëve të fundit i kanë dhënë Macronit një rritje të lehtë dhe analistët kanë thënë se Le Pen – pavarësisht përpjekjeve të saj për të zbutur tonet dhe imazhin – ka mbetur jo shumë popullore për një pjesë të konsiderueshme të votuesve.

Mirëpo një fitore e befasishme e Le Penit nuk mund të përjashtohet, duke marrë parasysh numrin e madh të votuesve të pavendosur.

Ndonëse sondazhet nuk i japin shumicën asnjërit kandidat, zgjedhjet do të varen nga votuesit që janë duke peshuar në ankth situatën e një presidence të ekstremit të djathtë ndaj zemërimit që ekziston për presidencën aktuale të Macronit.

Nëse Le Pen fiton, kjo gjë do të shkaktonte të njëjtën ndjesi shoku sikurse ai kur britanikët patën vendosur për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

Kutitë e votimit janë hapur në orën 08:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00.