Zgjedhjet, ministrat e PDK-së flasin për vendimin e 'vjetër' për rritjen e pagave për mjekët

Dy ministrat në detyrë nga PDK, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli dhe Ministri i Financave, Bedri Hamza, sot kanë vizituar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ata dy kanë folur për rritjen e pagave që do të bëhet në bazë të ligjit të ri, një vendim që është marrë në muajin shkurt të vitit të kaluar.

Kthimin e diskursit për rritje të pagave është bërë në prag të zgjedhjeve të parakohshme që pritet të mbahen në fillim të vjeshtës.

Ismajli e Hamza patën edhe një lajm për të gjithë punonjësit shëndetësorë. Pagat nga muaji dhjetor, ata do t’i marrin me rritje, në bazë të ligjit të ri për paga.

“Ishim të nderuar me vizitën e z. Hamza sot në QKUK për të takuar drejtorët dhe përmes tyre të u japim një mesazh gjithë punëtorëve shëndetësor. Ju e dini që ka pasur një punë jashtëzakonisht të vështirë por edhe të madhe në realizimin e një premtimi të cilin e kemi bërë që pagat në sektorin e shëndetësisë do të rritën, do ta heqim çdo mëdyshje që e kemi dëgjuar kohëve të fundit”, tha ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismajli.

“Sot i siguruam edhe një herë që premtimin që e kemi dhënë, premtimin që e kemi diskutuar së bashku me z. Hamza dhe që është votuar edhe në Kuvend, ai premtim do të realizohet, pra pagat do të merren me rritje. Ky është një lajm edhe për gjithë mjekët e ri, kur ata të jenë të gatshëm për profesionin shëndetësor do të jenë me pagat më të larta në rajon”, tha tutje ai.

Ismajli tregoi se me rritje page do të jenë të gjithë profesionistët shëndetësor, nga niveli primar, që nga mjekësit familjare deri në nivelin terciar në QKUK.

Në anën tjetër, Ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza tha se sektori i shëndetësisë asnjëherë nuk është trajtuar me prioritet, siç ka bërë gjatë këtij mandati ministri i PDK-së, Uran Ismajli.

“Shëndetësia ka qenë gjithmonë prioritet, mirëpo nuk është trajtuar me prioritetin siç është qeverisur nga z. Ismajli dhe drejtori, asnjëherë deri më tash”, th ai para gazetarëve të premten.

Ai tha se nga muaji dhjetor, pagat do të jepen me rritje dhe për këtë tashmë janë siguruar edhe mjetet financiare.

“Të gjithë të punësuarit që realizojnë paga përmes buxhetit të Kosovës, pagat do t’i marrin mbi bazën e ligjit të ri, i cili është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, është detyrim ligjor dhe prej momentit, prej momentit që kalkulohet dhe ky do të jetë muaji dhjetor i këtij viti. Mjetet financiare janë gati”, deklaroi Hamza.

Më 2 shkurt kishte kaluar projektligji për paga me 63 vota pro, 0 kundër dhe një abstenim.

Përmes këtij projektligji shumë zyrtarëve të sektorit publik i’u është rritur paga.

Kalon Projektligji për Paga

www.kallxo.com