Zgjedhjet e përgjithshme në Turqi - Sondazhet për kundërkandidatët Erdogan dhe Kılıçdaroğlu

Mes debateve të nxehta zgjedhore në Turqi, sondazhet e fundit tregojnë se blloku opozitar i përbërë nga gjashtë parti po fiton terren kundër qeverisë aktuale. Votuesit turq do t’i drejtohen kutijave të votimit më 14 maj për ta zgjedhur presidentin e ri dhe anëtarët e parlamentit.

Sipas sondazheve të fundit të opinionit të kryera nga katër kompani të ndryshme, Kemal Kılıçdaroğlu, kandidati presidencial i bllokut opozitar, i quajtur Aleanca Kombëtare, është përpara presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan, udhëheqësi më jetëgjatë në historinë e Turqisë.

Bazuar në sondazhet e lartcekura, rivali i Erdoganit po e kryeson garën me më shumë se 50% të votuesve, ndërkohë që mbështetja e presidentit aktual qëndron mesatarisht në 44% për qind.

Rezultatet e sondazhit për zgjedhjet presidenciale:

Aktualisht, gjashtë emra e kanë shpallur kandidaturën e tyre për zgjedhjet presidenciale. Nëse asnjë kandidat i vetëm nuk siguron më shumë se 50% të votave në raundin e parë, një balotazh midis dy rivalëve kryesorë do të mbahet më 28 maj.

Parashikimet e japin një pamje të ngjashme edhe për garën parlamentare me Aleancën Kombëtare që fitoi numrin më të madh të ulëseve kundër dyshes, Partisë AK në pushtet dhe aleatit të saj nacionalist MHP, e njohur gjithashtu si Aleanca Popullore.

Një sondazh i publikuar nga Aksoy Research tregoi se Aleanca Kombëtare siguroi 44.1% mbështetje ndërsa Aleanca Popullore fitoi 38.2%. I njëjti sondazh tregon përqindjen e votave të Partisë Demokratike Popullore pro-kurde (HDP) në 10.3%.

Alf Research njoftoi se blloku opozitar fitoi 43.5% të mbështetjes. Sondazhi i kryer me 6-7 mars gjithashtu thotë se 11.3% e votuesve favorizonin HDP-në.

Një sondazh nga Piar Research nuk është ndryshe me bllokun kryesor të opozitës që parashikon të fitojë 46.4%, ndërsa AKP dhe MHP me 37.8% sipas rezultateve të publikuara më 10 mars.

Lista e Këshillit të Lartë të Zgjedhjeve tregon se 36 parti do t’i paraqesin kandidatë në zgjedhjet parlamentare./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala