Zgjedhjet e parakohshme Parlamentare të 14 shkurtit kushtuan rreth 4.5 milion euro

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shqyrtuar dhe miratuar raportin e shpenzimeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2021.

Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike të Kosovës Arianit Elshani, i cili është kryesues i Këshillit për Buxhet, ka bërë të ditur koston e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 4.5 milionë euro.

“Nga planifikimi prej 5 milionë e 578 mijë e 712 euro, janë shpenzuar 4 milionë e 469 mijë e 764 euro, në total 80 për qind nga planifikimet”, tha Elshani.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së është shqyrtuar dhe miratuar edhe raporti i shpenzimeve për periudhën janar-mars 2021.

“Gjatë kësaj kohe janë mbajt zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe në raportin financiar e keni edhe shumën të cilat janë shpenzuar prej 4 milionë e 892 mijë e 451 euro. Këshilli për Buxhet rekomandon që ky raport financiar, i cili është konform rregullave dhe procedurave të kërkuara të miratohet në KQZ”, tha Elshani.

Si pikë e rendit të ditës ishte edhe shqyrtimi dhe miratimi i rishikimit të buxhetit për vitin 2021.

Në këtë pikë, KQZ-ja ka miratuar kërkesën drejtuar Ministrisë së Financave, për t’u alokuar një buxhet shtesë prej 3 milion e 886 mijë e 717 euro.

“Buxheti aktual i KQZ-së, është 7 milionë 64 mijë e 436 euro dhe për nevojat që ta përmbyllim këtë vit suksesshëm duhet të bëjmë një kërkesë edhe për 3 milionë e 886 mijë e 717 euro në Ministrinë e Financave për t’i aklokuar në kuadër të KQZ-së”, tha Elshani.