Zgjedhjet e 9 Shkurtit - Policia, Prokuroria, KQZ, KFOR, OSBE e EULEX mbajnë takim të përbashkët

Policia, Prokuroria e Shtetit, KQZ, KFOR, OSBE, EULEX, zyrtarë të Ambasadës Amerikane, e të Zyrës së BE në Kosovë kanë mbajtur një takim të përbashkët, për të diskutuar Planin Operativ për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë.

Në një komunikatë për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në këtë takim të pranishmit janë njoftuar lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore, për ofrimin e sigurisë dhe mbarëbajtjes së procesit zgjedhor.

“Përveç tjerash, ky Plan parasheh bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta të parapara sipas marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të institucioneve kompetente vendore, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.” – thuhet në njoftim.

Policia ka inkurajuar qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet kompetente dhe të raportojnë për çdo rast të dyshimtë që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, karshi qytetarëve dhe vendit.” – thuhet në komunikatë.

Zgjedhjet nacionale në Kosovë mbahen të dielën, më 09.02.2025.