Ilustrim

Zgjedhjet e 17 tetorit, fillon numërimi i votave të ardhura me postë

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i votave të zgjedhjeve të së dielës së 17 tetorit 2021.

Në këtë Qendër sot ka filluar numërimi i votave të ardhura nga jashtë.

Valmir Elezi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një pronocim për KALLXO.com tha se janë duke vazhduar aktivitetet e parapara me planin operacional të miratuara nga Komisioni.

Ai tha se ka filluar numërimi i votave jashtë Kosovës të cilat kanë ardhur përmes postës gjatë periudhës njëmuajshe 15 shtator – 15 tetor 2021.

“Gjatë periudhës së votimit përmes postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pakove të supozuara me fletëvotime. Pas vlerësimit dhe verifikimit nga shërbimi votues, brenda këtyre pakove janë konstatuar 10 mijë e 934 zarfe të individualizuara me fletëvotime”, tha tutje ai.

Elezi poashtu bëri të ditur se gjatë vlerësimit të tyre janë aprovuar 9 mijë e 610 zarfe të individualizuara me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 324 të tilla pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore.

“Më shumë se gjysma e tyre janë refuzuar pasi janë dërguar nga persona që nuk kanë aplikuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës (614) apo janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues (200). Ka edhe raste kur pako me fletëvotime është dërguar më shumë se një herë nga perosna të njëjtë (168)”, sqaron zëdhënësi i KQZ-së.

Përveç numërimit të votave të ardhura me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hetojë 10% të vendvotimeve të çdo komune dhe që i takojnë zgjedhjeve për kuvende komunale.

Në këto hetime janë të përfshira 255 vendvotime, për të cilat Elezi thotë se janë përzgjedhur sipas rastësisë dhe që gjatë pranimit të materialit të tyre nuk është vërejtur ndonjë parregullsi.

Qëllimi i këtij hetimi është të vërtetojë nëse këshilli i vendvotimit ka bartur në mënyrë të saktë votat nga fleta llogaritëse e kandidatëve në formularin e rezultatit të kandidatëve.

Sipas procedurës, nëse nga hetimi rezulton se ka ndryshime dhe votat nuk janë bartur në mënyrë të saktë, atëherë pas vendimit të KQZ-së do të hapet kutia e votimit për ta saktësuar gjendjen.

Kujtojmë se javën e kaluar në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe anëtarë të kuvendeve komunale.

Nga këto zgjedhje 21 komuna do të shkojnë në balotazh.

Vota, QNR
FOTO-KALLXO.com