Zgjedhjet dhe Dialogu - Disa nga temat në takimin e Bislimit me të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së, Prattipati

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur në takim Anu Prattipati, të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë.

Bislimi dhe Prattipati kanë biseduar për fuqizimin dhe thellimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, ndërsa temë diskutimi kanë qenë edhe pritjet nga Zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë – ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

“Bashkëbiseduan rreth partneritetit Kosovë-SHBA dhe për fuqizimin e thellimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona. Temë e diskutimit ishin edhe Zgjedhjet e ardhshme e fushata e cila sapo ka filluar dhe pritshmëritë e 9 Shkurtit.” – thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Bislimi dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë biseduan edhe për procesin e Dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës ka shprehur gjatë takimit mirënjohjen për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – theksohet më tej.