Zgjedhjet 2025, KQZ pranon nga OSBE-ja softuerin që avancon shërbimet për votuesit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot më 22.08.20244, ka pranuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, softuerin përmes të cilit do të avancohen shërbimet për votuesit dhe procesin zgjedhor.
Përveç pranimit të softuerit, sot në hapësirat e sallës “1 Tetori” në Prishtinë, është bërë edhe simulimi i procesit të votimit.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se janë bërë pjesë aktive e procesit të reformës zgjedhore të udhëhequr nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas tij, me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, procesi zgjedhor si brenda, por edhe jashtë vendit, ka pësuar ndryshime thelbësore dhe se zbatimi i tij do të jetë sfidues në zgjedhjet e datës 9 shkurt 2025.
“Menaxhimi i zgjedhjeve është një ndërmarrje e gjerë dhe komplekse, sepse përfshin aktivitete të shumta, afate kohore strikte që duhet respektuar, trajnime, angazhim të personelit, shpërndarjen e mijërave njerëzve në terren, monitorim të zbatimit të aktiviteteve që zhvillohen njëkohësisht dhe në shumë vende, transparencë për publikun, e të tjera. Po ashtu, organizimi i zgjedhjeve është një nga proceset më të mëdha dhe më gjithëpërfshirëse në një shtet, dhe Kosova, tashmë ka një traditë që çmohet edhe nga misionet ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve”- u shpreh ai.
Ai tha se KQZ është e përkushtuar në avancimin e procesit zgjedhor dhe se po bën hapa në digjitalizimin e operacioneve zgjedhore.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport ka thënë se ky pranim – dorëzim paraqet kulmin e një bashkëpunimi intensiv.
Ndërsa tha se ekipet përkatëse kanë punuar për të siguruar që ky softuer i përmbush kërkesat përkatëse nga KQZ-ja.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se numri i përgjithshëm i qytetarëve që kanë të drejtë vote në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë është 2 milionë e 47 mijë 149 votues.
Në mbledhjen e mbajtur më 21.08.2024, KQZ ka vendosur edhe për kufizimin e shpenzimeve që mund të bëjnë subjektet politike gjatë zgjedhjeve.
KQZ ka vendosur që një subjekt politik në zgjedhje të mund të shpenzojë deri në 2 milionë e 47 mijë euro. Kjo shumë bazohet në numrin e qytetarëve me të drejtë vote, ku për një votues është kalkuluar një euro.
Presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur 9 shkurtin e vitit 2025 si datë kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë.